Shkup, 27 shtator argument.mk/ – I ndalohet hyrja në RMV Azgan Haklaj në vendkalimin kufitar Bllatë Dibër, nën pretekstin: Kërcënim për sigurinë kombëtare publike.
Ish-deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, Azgan Haklaj, po mbahet nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut në vendkalimin kufitar Bllatë, në Dibër.
Sipas informacioneve me të cilët disponon KOHA, emri i Haklajt është futur në të ashtuquajturën “Stop-listë” masë që zakonisht arsyetohet nga autoritetet me çështje që lidhen me sigurinë publike ose kombëtare.
Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar nga institucionet kompetente të Maqedonisë së Veriut lidhur me arsyen konkrete të ndalimit dhe kohëzgjatjen e procedurës.
Haklaj udhëtonte i shoqëruar nga gazetari i njohur shqiptar Ferdinand Samarxhiu, i cili gjithashtu ndodhet në vendkalimin kufitar, ndërsa janë nisur për në Shkup, ku sot do të mbahet Marshi Protestues kundër Vendimit të Gjykatës Speciale kundër krerëve të UÇK-së.
Azgan Haklaj është ish-deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë dhe një emër i njohur i jetës politike, kulturore dhe kombëtare shqiptare. Ai vjen nga Tropoja dhe prej vitesh është angazhuar në promovimin e historisë, traditave dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Haklaj njihet edhe si drejtues i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar dhe është vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Gjatë veprimtarisë së tij publike, Haklaj është shquar për qëndrimet e tij në mbështetje të çështjes kombëtare, të luftës çlirimtare të Kosovës, të UÇK-së në Maqedoni dhe të figurave historike që kontribuuan për lirinë dhe bashkimin shpirtëror të shqiptarëve.

