Shkup, 27 shtator argument.mk/ – Kamera shtesë nga sistemi “Qyteti i Sigurt” do të vendosen në Kumanovë, njofton policia. Sipas autoriteteve, zbatimi i deritanishëm i sistemit ka dhënë rezultate. Të dhënat tregojnë se numri i aksidenteve në komunikacion gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti ka qenë 154. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë regjistruar 206 aksidente, që paraqet një ulje prej 25 për qind. Për këtë arsye, sistemi do të vazhdojë të zgjerohet.
“Me kërkesë të qytetarëve të qytetit të Kumanovës, por edhe nga vlerësimi ynë se kamerat e sistemit ‘Safe City’ të vendosura aktualisht nuk janë të mjaftueshme, mendoj se është përfshirë bulevardi ‘Revolucioni i Tetorit’, lokacioni ‘Tabakana’, ndërsa kam informacion se në tre lokacione të tjera do të vendosen kamera në periudhën më të shkurtër të mundshme”, informoi Tomisllav Dodevski, komandant i Stacionit Policor në Kumanovë.
Qytetarët me të cilët biseduam thonë se vërejnë më shumë disiplinë në komunikacion.
“Shumëçka ka ndryshuar, nuk ka parakalime të rrezikshme dhe këmbësorëve u jepet përparësi”, thotë një qytetar.
“Po bëhet shumë më tepër kujdes. Disa duan të kalojnë, por kur i shohin kamerat, ndërrojnë mendje”, thotë një qytetare.
“Shoferët dhe të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion po vozisin më me kujdes”, thekson një qytetar nga Kumanova.
“A do të mësohemi me rregull falë kamerave? Ndoshta me gjoba, sepse pa to është më e vështirë”, thotë një tjetër.
“Duhet të ketë edhe më shumë kamera. Populli ynë nuk mundet pa gjoba”, shprehet një qytetar nga Kumanova.
Në Kumanovë, që nga shkurti, në disa lokacione regjistrohen kundërvajtjet e shoferëve të pakujdesshëm. Kamera inteligjente janë vendosur në hyrje dhe dalje të qytetit, në bulevardin “Revolucioni i Tetorit”, si dhe në rrugët rajonale.

