Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi sot një takim me bizneset në Tregun Artizanal të Krujës.
Gjatë këtij takimi, Berisha prezantoi edhe programin e qeverisjes së koalicionit PD-Shqipëria Madhështore.
Në fjalën e tij, Berisha tha se do të nxisë “prodhimin dhe punësimin”.
“Do të bëjmë gjithçka të kthehen ata që na ikën, duke u dhënë të drejtën e investimit 5 vite pa taksa. Do të bëjmë gjithçka që çiftet e reja të jenë me tre fëmijë dhe fëmijën e tretë do e paguajë shteti nga lindja deri në 23 vjeç. Për fëmijën e parë dhe të dytë do japim bonuse 60 dhe 70 euro”, tha Berisha.
Berisha tha se “minimumi jetik është një shumë me të vërtetë minimale, 200 euro, por është një shumë që çdo shqiptar e nxjerr jashtë varfërisë ekstreme”.
Duke folur për pagat, Berisha tha se “rrogat e ulëta do i ngremë në 500 euro”.
“Rrogat sot, nëse do kishin ndjekur ligjin e inflacionit, rrogat e ulëta sot duhej të ishin 730 euro. Po këta menduan vetëm për rrogat e larta, trefishuan, katërfishuan rrogat e larta”, tha Berisha.
Berisha u shpreh po ashtu se “do 6-fishojmë subvencionet për çdo fermer”.
“Ne heqim çdo barriere jo ka 100 kokë, jo ka 10 kokë, jo ka kaq hektarë, aq hektarë. Çdo fermer do subvencionohet për çdo njësi prodhimi, për çdo kokë bagëti, për çdo fidan të mbjellë. Do ketë kredi të buta, 80 përqind të interesave për fermerët dhe biznesin e vogël, do e mbulojë shteti. Do ndalohet me ligj importimi i inputeve bujqësore që nuk shiten në të paktën dy vende të BE. Sikundër i ilaçeve që nuk shiten në të paktën dy vende të BE”, tha Berisha.
Berisha tha po ashtu se “Made in Albania do të jetë synimi ynë më kryesor”.

