Tiranë, 07 tetor, argument.mk/ – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mblodhi këtë të mërkurë grupin parlamentar të PD-së për të diskutuar projektligjin e propozuar nga mazhoranca për ndryshimin e hartës administrative-territoriale të vendit, sipas të cilit numri i bashkive propozohet të reduktohet nga 61 në 46.
Partia Demokratike ka shprehur qëndrimin kundër kësaj nisme, duke propozuar një projekt tjetër, që parashikon rritjen e numrit të bashkive në 100.
Berisha tha para deputetëve të PD-së se qeveria po “ekzekuton” 15 bashki. Sipas tij, kjo është pjesë e një politike shpopullimi që, sipas tij, po ndiqet nga kryetari i PS, njëherazi kryeministri Edi Rama.
“Kjo politikë shpopullimi në funksion të pushtetit të tij, kryekëput në funksion elektoral, pa asnjë lloj kriteri tjetër, është një akt shumë i rëndë”, tha Berisha.
“Një akt faktikisht shpallje armiqësie të hapur ndaj banorëve të këtyre bashkive, të cilët kanë reaguar me qytetari dhe në përgjithësi kundër këtij projekti. Përveç kësaj, Partia Demokratike në projektin e saj ka parashikuar 100 bashki dhe e ka lënë të hapur këtë projekt për shtimin, mbi bazën e konsultimeve, të bashkive të tjera”, u shpreh ai.
Kreu i PD kujtoi dhe thirrjen për protestë.
“Nesër qytetarët nga mbarë Shqipëria, pavarësisht nga bindjet e tyre politike, do të bashkohen në një protestë për të mbrojtur interesat qytetare, sepse kundërshtimin për asgjësimin e bashkive e kanë dëshmuar në shumicën e rasteve qytetarët e të gjitha bindjeve politike”, u shpreh Berisha.
“Në këtë rast, unë ftoj qytetarët nga mbarë Shqipëria të protestojnë për atë parlament që nuk meriton të ekzistojë. Ai parlament është bërë zëdhënës i interesave më kriminale të Edi Ramës dhe organizatës së tij kriminale.
Ai parlament është bërë mburojë e vjedhjeve më të mëdha. Ai parlament ka vendosur terrin dhe errësirën për qytetarët shqiptarë, të votojë në emër të interesave strikt të ngushta të Edi Ramës dhe deputetëve të skllavëruar prej tij, çdo ligj dhe vendim që bie ndesh me interesat e qytetarëve shqiptarë”, përfundoi Berisha.

