Shkup, 18 nëntor, argument.mk/ – Debati rreth Propozim-buxhetit për vitin 2027 nuk është vetëm përballje mes pushtetit dhe opozitës pasi kjo çështje është thelbësore për drejtimin ekonomik dhe social të shtetit. Prandaj, a po investon vendi në të ardhmen apo po financon të tashmen në kurriz të brezave që vijnë. Çfarë përparësie e mangësi prodhon propozim buxheti për vitin që vjen? shkruan Zhurnal.
Deficiti që nuk krijon zhvillim
Një nga treguesit më domethënës është raporti ndërmjet deficitit buxhetor dhe investimeve kapitale. Deficiti prej 45 miliardë denarësh tejkalon nivelin e shpenzimeve kapitale, të planifikuara në 40,8 miliardë denarë. Edhe pse në teori ekonomike deficiti nuk është problem nëse përdoret për të krijuar vlerë të re ekonomike.
Një shtet mund të huazojë për të ndërtuar rrugë, hekurudha, shkolla dhe infrastrukturë që gjenerojnë zhvillim dhe të ardhura në të ardhmen. Problemi lind kur borxhi përdoret për të financuar konsum të zakonshëm, paga, subvencione të paqëndrueshme ose shpenzime operative. Nëse diferenca mes deficitit dhe investimeve kapitale vërtet kanalizohet në konsum, atëherë lind pyetja legjitime çfarë do të mbetet pas disa vitesh nga ky huazim përveç faturës që do ta paguajnë taksapaguesit?
Kursimet mbi shtresat më të cenueshme
Një tjetër aspekt shqetësues është zvogëlimi real i mjeteve për mbrojtje sociale. Në kohën kur inflacioni vazhdon të gërryejë fuqinë blerëse të familjeve, ulja reale e ndihmës sociale përbën një sinjal të kundërt me nevojat sociale të vendit. Varfëria tek fëmijët, familjet me një prind dhe familjet shumëanëtarëshe vazhdon të mbetet në nivele të larta.
Kur transferet sociale arrijnë të zvogëlojnë varfërinë vetëm me pak pikë përqindjeje, problemi nuk qëndron vetëm te sasia e mjeteve, por edhe te efikasiteti i politikave sociale. Megjithatë, përgjigjja ndaj këtij problemi nuk mund të jetë reduktimi i fondeve, por reformimi dhe forcimi i mekanizmave të mbështetjes.
Një gjë është e ditur se një shtet që kursen mbi kategoritë më të dobëta rrezikon ta paguajë shumëfish koston në të ardhmen përmes përjashtimit social, emigrimit dhe rritjes së pabarazive.
Komunat mes detyrimeve dhe mungesës së mjeteve
Pushteti lokal është pika ku qytetarët e prekin drejtpërdrejt shtetin. Shkollat, çerdhet, shërbimet komunale dhe kujdesi social varen kryesisht nga komunat. Kur transferet rriten vetëm simbolikisht, ndërsa shpenzimet e pagave dhe kostot operative rriten ndjeshëm, komunat përballen me një zgjedhje të vështirë ose të shkurtojnë shpenzimet për mirëmbajtje dhe investime, ose të krijojnë detyrime të reja.
Pasojat më së shumti i ndjejnë qytetarët. Ato shfaqen në formën e shkollave të amortizuara, çerdheve me mungesë kapacitetesh, shërbimeve më të dobëta dhe projekteve të vonuara lokale.
Borxhi po bëhet histori më vete
Ndoshta sinjali më alarmues i buxhetit është rritja e vazhdueshme e kostove të borxhit. Kur pagesat për interesa arrijnë pothuajse 25 miliardë denarë dhe afrohen me nivele që konkurrojnë sektorë jetikë si mbrojtja sociale, shteti hyn në një cikël të rrezikshëm. Paratë që mund të shkonin për arsim, shëndetësi ose infrastrukturë devijohen për shërbimin e borxheve të mëparshme.
Borxhi nuk është domosdoshmërisht problem, por shpejtësia e rritjes së tij dhe kostoja e shërbimit mund të kufizojnë hapësirën manovruese të qeverive të ardhshme. Sa më shumë të rriten interesat, aq më pak para mbeten për zhvillim.
Arsimi dhe shëndetësia, investime apo shpenzime?
Vendet që duan zhvillim afatgjatë investojnë para së gjithash në kapitalin njerëzor. Për këtë arsye, çdo ulje e fondeve zhvillimore në arsim dhe shëndetësi duhet të analizohet me kujdes. Rënia e mjeteve për arsimin, mungesa e projekteve për shkolla të reja dhe ulja e investimeve në infrastrukturën shëndetësore krijojnë përshtypjen se sektorët që duhet të jenë motorë të zhvillimit po trajtohen si kategori shpenzimesh që mund të shtyhen për më vonë.
Por historia ekonomike e vendeve të zhvilluara tregon të kundërtën shkollat dhe spitalet nuk janë barrë për buxhetin, por investimi më fitimprurës që mund të bëjë një shtet. Edhe më paradoksale duket situata me sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Nëse integrimi evropian, investimet e huaja dhe besimi i qytetarëve varen nga institucione funksionale dhe të pastra, atëherë financimi simbolik i reformave në këtë fushë dërgon mesazh kontradiktor.
Prandaj, pyetja nëse ky buxhet është shpresë për zhvillim apo rrezik për ngecje ende nuk ka një përgjigje përfundimtare. Por një gjë është e sigurt zhvillimi nuk matet me madhësinë e buxhetit, por me cilësinë e prioriteteve që ai financon. Dhe pikërisht aty do të gjykohet suksesi ose dështimi i Buxhetit 2027. argument.mk/

