Tiranë, 27 tetor, argument.mk/ – Demokratja Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ashtu si kolegët e opozitës, prezencën e saj e përdori për të amplifikuar kërkesat e opozitës.
Ndërkohë këto qëndrime të Tabakut socialisti Ardit Bido i quajti teatër duke iu përgjigjur kërkesës për një dëgjesë me ministrin e punëve të brendshme Ervin Demo dhe duke shprehur se ai ishte i gatshëm të raportonte në seancën e kaluar plenare në Kuvend, por raportimi i ministrit u bë i pamundur nga kolegët e opozitës me kaosin që krijuan.
Pjesë nga debati:
Tabaku: Shqipëria ka një realitet tjetër sot, prej 150 ditësh qytetarët po protestojnë për të kërkuar elementë të cilët lidhen me procesin e integrimit. Ata e nisën me një kërkesë për ligjin e investimeve strategjike, një ligj klientelist dhe korruptiv që ka ndarë pasuritë publike dhe uljen e taksave te një dorë biznesesh pranë qeverisë. Kërkuan shfuqizimin e paketës së maleve, kërkuan njëkohësisht ligjin për mbrojtjen e mjedisit dhe të tre këto kërkesa janë edhe të procesit të integrimit, janë kërkesa që edhe opozita i ka kërkuar, kërkesa që qeveria është e detyruar t’i zbatojë për shkak të negociatave. Dhe pas një proteste 150 ditë, para dy javësh studentët nisën angazhimin e tyre. Protesta e studentëve na bëri të gjithëve të reflektojmë dhe unë besoja se do të kishte reflektim edhe nga mazhoranca. Një protestë që ishte kundër asaj që ka prodhuar ky parlament, një politikë pa përfaqësim e cila sot fatkeqësisht merr vendime duke ngritur kartonin, pa sjellë asnjë përmirësim në jetën e qytetarëve. Një protestë që nisi paqësore dhe më pas u përshkallëzua, duke parë një dhunë të paprecedentë në rrugët e Tiranës që nuk e kishin njohur që pas rënies së komunizmit. Në emër të opozitës kam kërkuar që në këtë komision të raportojë Ervin Demo, Skënder Hitaj, komisioneri për antidiskriminimin, sepse e kemi parë dhunën në rrugët e Tiranës. Ju siguroj pa asnjë konotacion politik se është bërë barbari ndaj të rinjve, janë 1000 të rinj të shoqëruar, 250 prej të cilëve janë të mitur. Jam për përdorimin e institucioneve pa diskutim, por duhet t’i japim pak vlerë parlamentit, duhet që patjetër të raportonte ministri i Brendshëm. Si komision na takon që të flasim dhe për situatën me median. 47 gazetarë janë kërcënuar, intimiduar e gjuajtur, në 43 raste ka ndodhur kjo nga policia. Të gjitha këto marrin një përgjigje nga qeveria, paketën e re për tubime. Në mëngjes i kërkon dialog, pasdite i rreh, në darkë thotë që kush mblidhet 3 veta do të ketë gjobë, kush shkon në protestë do të ketë gjobë. Çfarë janë këto komunizma, doni të na e sillni pas 36 vitesh?
Bido: Në vullnetin e plotë të grupit parlamentar të PS, ne duam që të raportojë ministri i Brendshëm, vetë ministri do të raportojë. Ajo çfarë ndodh është loja teatrale e opozitës, e cila në seancën e fundit, në pikë të parë kishte raportimin e ministrit dhe në vend që t’i kërkonte llogari për ato që ju gjykoni që janë shkelje të të drejtave të njeriut, ju vendosët që të bëni shkelje të tjera të etikës parlamentare, duke dhunuar kolegë deputetë, duke pamundësuar debatin parlamentar, llogaridhënien e institucioneve, duke i ulur vlerën parlamentit dhe jetës publike e parlamentare në vend. Ndaj kjo lojë teatrale në një moment duhet të marrë fund. Duhet të marrë fund që tani të kërkojmë raportim nga ministri, kur ministrit iu bë i pamundur raportimi në seancë nga ju, jo nga ne. Që treguat një forcë fizike që kolegët tuaj nuk e kanë, por që e bëjnë në një shfaqje teatrale. Kur shoh që në seancë turret sekretari i përgjithshëm i partisë tuaj, çfarë e keni atë?
Tabaku: Fol me respekt të paktën, mos thuaj çfarë e keni atë.
Bido: Çfarë e keni pra, pse unë e kam? Ju e keni.
Tabaku: Çfarë rëndësie ka kush e ka, fol me respekt se e keni koleg deputet.
Bido: Një koleg deputet e fiton respektin në momentin që sillet siç i ka hije parlamentit, jo kur tregon muskujt që nuk i ka për të zhvlerësuar jetën parlamentare dhe publike. Ne kemi mundësinë që të flasim për çështje thelbësore, të flasim për paketën sociale që na vjen për pak ditë, të flasim për paraburgimin, jo të flasim vetëm kur na intereson, që paraburgimi është i papranueshëm, që ne jemi një dele e zezë e Europës kur vjen puna te kjo çështje. Një parti e cila fsheh dhunën që ne shohim, që protestues të maskuar, të cilët nën petkun e të qenit studentë, të cilët në fakt janë militantë të PD-së, futen në zyrat e PD-së dhe marrin molotovë për t’i hedhur ndaj policisë e pronës publike. Nuk mund të bëni moral në momentin kur ju e shtyni dhe e bëni dhunën, jo vetëm në jetën tonë publike, por dhe atë parlamentare. Nëse nuk denonconi dhe nuk dënoni dot dhunën, mos bëni teatër.

