Shkup, 27 shtator argument.mk/ – Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, pritet të largohet nga posti diplomatik në Shkup dhe të marrë detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka çuar përpara procedurat për ndryshimin e dy ambasadorëve shqiptarë në Shkup dhe Prishtinë, në një lëvizje që po konsiderohet si një rokadë diplomatike.
Sipas raportimeve, më 9 tetor në Komisionin Parlamentar për Punët e Jashtme pritet të zhvillohet dëgjesa për Denion Meidanin, i cili do të paraqesë platformën e tij për drejtimin e Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë.
Meidani aktualisht është ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut dhe mban këtë detyrë në Shkup.
Lëvizja vjen disa muaj pasi në mediat shqiptare u raportua për mundësinë e largimit të tij nga Shkupi. Në maj, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i kishte mohuar raportimet se ndryshimi i ambasadorit lidhej me qëndrimet e Meidanit gjatë protestave të studentëve shqiptarë në Shkup, duke theksuar se lëvizjet diplomatike bazohen në analiza profesionale dhe institucionale.

