Shkup, 2 korrik Zhurnal.mk – Drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali, ka bërë të ditur se institucioni ka nisur zbatimin e një projekti pilot për zbulimin e hershëm të zjarreve pyjore, i cili përfaqëson një hap të rëndësishëm në modernizimin e sistemit të menaxhimit të krizave dhe forcimin e kapaciteteve për mbrojtjen e qytetarëve dhe mjedisit.
Ali theksoi se projekti është rezultat i angazhimit të drejtpërdrejtë për modernizimin e Qendrës dhe se për herë të parë, në bashkëpunim me një kompani vendore, po vendoset një sistem inteligjent me kamera të instaluara në lokacione strategjike për monitorimin dhe zbulimin në kohë reale të zjarreve pyjore.
“Sot po e çojmë përpara një projekt që është rezultat i punës sime të drejtpërdrejtë dhe angazhimit të vazhdueshëm për modernizimin e Qendrës për Menaxhim me Kriza. Vendosja e sistemit inteligjent për zbulimin e hershëm të zjarreve pyjore është një hap konkret që e kam inicuar dhe e kam shtyrë përpara si prioritet institucional”, deklaroi Muhamed Ali.
Sipas tij, aktualisht një numër i konsiderueshëm kamerash tashmë janë funksionale, ndërsa në fazën e ardhshme rrjeti do të zgjerohet në rreth 50 kamera, duke rritur ndjeshëm mbulimin e zonave pyjore me rrezik të lartë në të gjithë vendin.
Sistemi mundëson monitorim të pandërprerë 24 orë në ditë, zbulimin automatik të tymit dhe shenjave të para të zjarrit, si dhe njoftimin e menjëhershëm të Qendrës Operative të QMK-së dhe institucioneve kompetente për një reagim më të shpejtë dhe më efikas. Kamerat inteligjente me rrotullim 360 gradë ndalojnë automatikisht në pikën ku detektohet tym ose flakë, ndërsa sistemi është i integruar me numrin emergjent 112, platformat GIS dhe të dhënat meteorologjike për të mundësuar vendimmarrje më të shpejtë dhe më të saktë.
Drejtori Ali vlerësoi se teknologjia e re do të kontribuojë në uljen e dëmeve nga zjarret, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pyjeve, pronës dhe pasurive natyrore, si dhe në përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional gjatë ndërhyrjeve përmes pamjes vizuale në kohë reale.
“Ky sistem po e rrit ndjeshëm aftësinë tonë për reagim të shpejtë dhe për mbrojtjen e pyjeve, jetës së qytetarëve dhe pasurisë natyrore. Do të vazhdoj të udhëheq me fokus të qartë në teknologji, inovacion dhe forcim të kapaciteteve, që Qendra për Menaxhim me Kriza të jetë më efikase, më moderne dhe më e gatshme për çdo situatë emergjente”, theksoi Ali.
Ai shtoi se projekti pilot do të shërbejë si bazë për krijimin e një sistemi kombëtar për zbulimin e hershëm të zjarreve pyjore, i cili në të ardhmen do të rrisë sigurinë, do të përmirësojë menaxhimin e rreziqeve natyrore dhe do të ofrojë mbrojtje më të madhe për qytetarët dhe mjedisin.
https://www.facebook.com/share/p/1HE2C55wPq/?mibextid=wwXIfr

