Shkup, 22 shkurt – Krahas sektorëve tjerë që po përballen me krizë të vazhdueshme, shëndetësia është në hall të madh me mungesë të personelit mjekësor, gjithashtu mungojnë edhe ekipe të urgjencës. Por, më keq se kaq tani është kuptuar që përkundër ndihmave të vazhdueshme të BE-së për avancim të trajtimit përmes preparateve moderne, shëndetësia ka dështuar në këtë drejtim e për këtë çështje nuk kanë munguar vërejtjet e amabasadorit të BE-së, David Geer. Ai ka kritikuar për mospërdorimin e sistemeve të rezonancës magnetike të dhuruar dhe tomografisë kompjuterike. Prej më shumë se pesë ditë, institucioni nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve përse përdorimi i këtyre sistemeve në vend është i ulët dhe nën mesataren e Unionit. Kjo flet edhe për përgjegjësinë e këtij institucione me peshë të rëndësishme për qytetarët, shkruan Zhurnal.
Pajisjet moderne në Klinika janë dhuruar por nuk përdoren –
Ministria e Shëndetësisë hesht pas kritikave të ambasadorit evropian Dejvid Gir për mospërdorimin e sistemeve të rezonancës magnetike të dhuruar dhe tomografisë kompjuterike. Prej më shumë se pesë ditë, institucioni nuk i është përgjigjur pyetjeve të televizionit Alsat përse përdorimi i këtyre sistemeve në vend është i ulët dhe nën mesataren e Unionit.
Sipas revizorëve, niveli i këtyre shërbimeve në vitin 2022 është përafërsisht si në vitin 2017, megjithëse numri i pajisjeve të rezonancës magnetike në shëndetin publik është dyfishuar nga 7 në 15 pajisje ndërkohë. Gjithashtu, një nga sistemet e dhuruara, siç është shembulli i spitalit në Gostivar, nuk është vënë fare në përdorim. Këto pajisje përdoren për të marrë pamje të detajuara të organeve të brendshme te pacientët.
“Pavarësisht progresit të arritur në sigurimin e shtatë aparateve të reja, përveç tetë pajisjeve të tjera ekzistuese të rezonancës magnetike në shëndetin publik në tre vitet e fundit, ato nuk janë përdorur sa duhet. Si dhe politikat e miratuara dhe masat dhe veprimet e ndërmarra nga institucionet kompetente dhe Institucionet shëndetësore nuk ofrojnë gjithmonë shërbime shëndetësore të përballueshme dhe cilësore me rezonancë magnetike për pacientët e siguruar”, thonë nga EShR për Alsat.
Ambasadori Gir së fundmi theksoi se kjo situatë nuk është shembull pozitiv i partneritetit me institucionet, më konkretisht me Ministrinë e Shëndetësisë. Ai shtoi se në vitet e fundit Unioni ka dhuruar sisteme të rezonancës magnetike dhe tomografisë kompjuterike në tetë spitale në të gjithë vendin.
“Në Bashkimin Evropian mesatarisht një sistem përdoret për katër deri në nëntë mijë pacientë në vit. Sipas Entit të Revizionit, këtu përdoret për 2800 pacientë. Pse? Duhet bërë më shumë dhe u bëj thirrje të gjithëve që të përdorin plotësisht pajisjet e dhuruara. Është në interes të pacientëve”, tha Dejvid Gir, ambasador i BE-së.
Ndërkohë revizioni ka konstatuar gjithashtu se pajisja e reparteve të diagnostikimit radiologjik në institucionet publike shëndetësore me aparate të reja radiologjike, në tri vitet e fundit është bërë pa analiza përkatëse, sidomos për kuadrin e nevojshëm profesional të trajnuar. Sipas Entit, trajnimi i pamjaftueshëm i radiologëve në leximin e pamjeve me rezonancë magnetike ndikon në përdorimin joefikas të pajisjeve dhe uljen e qasjes dhe cilësisë së shërbimeve.
Në çfarë gjendje është shëndetësia në Maqedoninë e Veriut?
Ministria e Shëndetësisë vazhdon të mbetet një ndër institucionet më të rëndësishme në vend, por që në krye të së cilës vendosen persona që pak i kushtojnë rëndësi këtij institucioni. Qytetarët kanë nevojë të dukshme që të kenë siguri shëndetësore, që MSH të kujdeset në mënyrë të angazhuar për përmirësim të cilësisë për shërbimet që ofrohen në spitalet e vendit.
Dysh i fortë ose 2,36 është nota mesatare që qytetarët e kanë dhënë në shkallën 1 deri në 5 për cilësinë e kujdesit shëndetësor publik, sipas anketës të opinionit publik për Detektor, të realizuar nga Instituti për Hulumtime Politike në Shkup. Vlerësimi i qytetarëve për cilësinë në shëndetësi është shumë më i ulët krahasuar me katër vite më parë, prandaj qytetarët janë të pakënaqur me këto shërbime që sot ofrohen. Furnizimi me barna, infrastruktura, mungesa e mjekëve janë problematikat kryesore me të cilat përballet sektori i shëndetësisë.
Megjithatë, jemi dëshmitarë që shpesh herë Ministria e Shëndetësisë është shndërruar në institucion i dorës së dytë, në të cilin shpesh ndryshohen ministrat. Gjë që reflekton se ky institucion ekziston sa për ta bë ndokënd ministër. Pjesë e pazareve politike, e për të larë ndonjë hatërmbetje. Kjo qasje është totalisht e gabuar dhe që prodhon gjendje katastrofale në funksionim.
Duhet qasje shumë më serioze nga organet e shtetit për Ministrinë e Shëndetësisë, dhe që investimet të drejtohen në këtë sektorë që është nevojë jetike për secilin qytetarë. Ka tashmë më shumë se një dekadë që kur është premtuar ndërtimi i një Qendre të re Klinike në Shkup, dhe kjo gjë nuk po realizohet dot. Me ministra që nuk brengosen për shëndetësinë cilësia e shërbime nuk korrigjohet asnjëherë.
E në çfarë gjendje është shëndetësia në vendin tonë, tregues më i mirë ishte situata me pandeminë. Ku institucionet shëndetësore përpos që kishin mungesë të kuadrove përkatëse mjekësor, ata kishin edhe mungesë të shtretërve dhe hapësirave. Pacientët nga mungesa e sigurimit të barnave për fibrozë cistike kanë ndërruar jetë, infrastrukturë tmerruese, shërbime katastrofale. Prandaj, kur të rinjtë po vendosin ta braktisin vendin nuk po e bëjnë vetëm për mungesë të një vendi pune, por edhe si pasojë e mos sigurisë shëndetësore në këtë vend. /Zhurnal.mk