Shkup, 26 gusht, argument.mk/ – Ku të ecësh nëpër Maqedoninë e Veriut sheh vetëm mbeturina. Thuajse ne vetëm mbeturina prodhojmë. Aq shumë mbeturina ka gjithandej, sa që qytetarëve nuk iu bën më përshtypje. Jemi bërë njejtë sikur në Bangladesh e Indi, ku të ecësh mbi beturina duket gjë normale. Fatkeqësisht, vetëm nëse del pak jashtë vendit si turist, e kur të kthehesh në vendlindje, e shikon se sa të papastër jemi. Nëse mendon se këto mbeturina vijnë nga jashtë, gabohemi rëndë, sepse këto mbeturina i bëjmë ne, fëmijët tanë, familjet tona, e fatkeqësisht ne ecim mbi ato sikur nuk ndodh asgjë. Qeveria mund të grumbullojë me tona, por nëse ne nuk vetëdijësohemi dhe nuk emancipohemi njëherë e përgjithmonë që mbeturinat mos t’i hedhim gjithandej, kot flasim për pastërti, shkruan “argument.mk/”.
Dyshekë, mobilje, jastëk e gjithçka hidhet ku të mundet!
Deponitë ilegale të mbeturinave në vend janë një problem që të gjithë e dinë. Janë mbi 2,000 të tilla të regjistruara nga Ministria e Mjedisit. Por ka edhe shumë më tepër – më të mëdha ose më të vogla, me fjalë të tjera, mbeturina kemi kudo.
Fatkeqësisht qytetarët i hedhin mbeturinat ku të munden. Shpesh herë nëpër kontejnerët e Shkupit sheh jastëk, dyshekë, mobilje, karrige, e gjithçka që s’ta merr mendja se një mendje e njeriut mund ta hedhë në kontejnerët ku hidhen gjërat e imta. Prandaj, ndodh edhe sikur në “Jahja Pashë” kur para çerdhes “Fidani” dikush i vendos flakën të gjithë kontejnerit!
Kohët e fundit, banorët e Kërçovës kanë ngritur publikisht alarmin se një deponi e re e madhe ilegale është krijuar midis dy fshatrave në rajonin e Kërçovës. Ndërsa qytetarët po ngrenë alarmin për lokacione të reja plot me mbeturina, në rrugën Ohër – Resnjë, situata me deponinë “Bukovo” po shkakton sërish reagime për shkak të tymit dhe aromës së pakëndshme.
Problemi i deponive të paligjshme në Maqedoni ngre edhe një herë pyetjen se kush dhe ku i hedh mbeturinat, por edhe sa kontroll kanë institucionet mbi atë që ndodh në terren. Problemi që fshihet pas këtyre deponive të paligjshme është shumëplanësh. Një pjesë e mbeturinave krijohet nga qytetarët dhe kompanitë e ndërtimit të cilët, për të shmangur kostot, i hedhin mbeturinat në vende të papërshtatshme.
Por, ekziston një problem tjetër, sistemik – disa komuna kanë krijuar deponi të tyre për vite me radhë sepse nuk kishin një mënyrë të përshtatshme ose fonde të mjaftueshme për asgjësimin ligjor të mbeturinave komunale.
Komunat nuk kanë fonde të mjaftueshme për asgjësimin zyrtar të mbeturinave dhe në ato komuna, shërbimet komunale shpesh lihen në mëshirë të fatit, pa buxhete ose makineri të përshtatshme për të zgjidhur në mënyrë të pavarur problemin, shkruan “argument.mk/”.
S’ka gjoba të duhura për mbeturinat
Politika e ndërlikon më tej problemin pasi autoritetet lokale shpesh shmangin masat që do të nënkuptonin tarifa më të larta të shërbimeve ose dënime më të rrepta për hedhjen e paligjshme të mbeturinave.
Nuk mund të jetë një pastrim i vetëm i deponive, por një ndryshim në të gjithë sistemin e menaxhimit të mbeturinave.
Në Tetovë futja e një partneriteti publik-privat e ka përmirësuar ndjeshëm situatën me mbeturinat. Një model i ngjashëm mund të zbatohet edhe në komuna të tjera që prej vitesh përballen me mungesë fondesh, mekanizimi dhe infrastrukture të përshtatshme.
Është e nevojshme krijimi përfundimtar i deponive rajonale, një proces që po zhvillohet shumë ngadalë. Dhe më e rëndësishmja është futja në nivel kombëtar e përzgjedhjes së mbeturinave dhe përdorimi i tyre në termocentralet energjetike, shkruan “argument.mk/”.
Mbeturinave po ua shohim sherrin – turistët na e nxorrën “faqen e zezë“ në internet!
Ndotja nga mbeturinat ndikon drejtpërdrejt dhe negativisht në turizmin e Maqedonisë së Veriut, duke dëmtuar imazhin e vendit dhe duke larguar vizitorët e huaj. Turistët që vizitojnë malet, lumenjtë dhe parqet kombëtare përballen me deponi ilegale në vend të natyrës së virgjër. Ata shpesh herë postojnë nëpër rrjetet sociale dhe kjo shëndrrohet në një pasqyrë të keqe dhe të zezë për vendin.
Mbeturinat e shpërndara përgjatë rrugëve kryesore dhe pikave kufitare krijojnë përshtypjen e parë negative për çdo vizitor. Djegia e deponive çliron tym toksik dhe erëra të pakëndshme, duke krijuar pasiguri për shëndetin e turistëve.
Mungesa e infrastrukturës moderne për riciklim dhe trajtim të mbeturinave është një nga arsyet pse nuk kemi një riciklim të duhur. Fatkeqësisht, institucionet po zbatojnë shumë pak gjoba dhe kanë kapacitetet e pamjaftueshme të inspektorateve komunale për të kontrolluar dhe parandaluar ndotjen.
Mbi të gjitha, ngjashëm siç ndodhi me “Safe City”, shteti duhet të ndërmarrë masa shumë serioze që ta ndalojë këtë problem. Nëse me “Safe City” u rregulluan sado pak trafiku, duhet të gjendet zgjidhje edhe për mbeturinat. Duhet të vendosen më shumë kamera nëpër deponitë ilegale, nëpër rrugët ku ka kontejnerë dhe të dënohen me gjoba të rënda ata që hedhin mbeturina vend e pa vend.
Gjithashtu, edhe shoqëria civile, intelektualët, klerikët fetarë dhe të gjithë ata që kanë ndikim në shoqëri, duhet të flasin se hedhja e mebturinave në vendet jo të duhura është mëkat, është gabim, është vetvrasje, është faqja jonë e zezë dhe është turp për neve si shoqëri, shkruan “argument.mk/”.

