Shkup, 31 gusht, argument.mk/ – Thuajse asnjë vit shkollor nuk fillon pa probleme në arsim. As edhe një herë nuk mbahet mend që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut se kur ka ardhur 1 shtatori, të mos ishte bërë temë e diskutimeve mungesa e shkollave, mungesë e paraleleve, hapje e paraleleve të reja, mbyllje e paraleleve, mungesë te librave, probleme me libra… Është shumë e qartë se pushteti dëshiron ta mbajë nën kthetra dhe nën stres gjithmonë arsimin, por gabimi më i madh është se pse nuk u mbushën me mend, se “dielli me shoshë nuk mbyllet”.
Arsimi gjithmonë temë e nxehtë për maqedonasit!
Historikisht pushteti në Maqedoninë e Veriut gjithmonë problem i ka bërë arsimi në gjuhën shqipe. Që nga pavarësia, pushteti maqedonas ka dashur që mos t’i lejojë shqiptarët të mësojnë në gjuhën e tyre.
Fillimisht bënte probleme duke tentuar të krijojë paralele të përziera, por ku maqedonishtja duhej të ishte gjuha e vetme që duhet të mësonin shqiptarët. Pastaj, bënin presion dhe problem me ditarët, ku kërkonin që të shkruanin edhe lëndët mësimore në gjuhën maqedonase.
Më vonë nuk lejonin të hapej Universitet në gjuhën shqipe, deri sa me dhunë e me vrase u hap Universiteti i Tetovës. Pas kësaj u desh të ndodhë konflikti i vitit 2001 dhe disa çështje të zgjidhen, por jo plotësisht.
Edhe pse u hapën Universitete të reja, edhe pse u hapën paralele të reja, sërish nuk u mësua mësimi se me hapjen e dyerve të shkollimit nuk humb asgjë ky shtet, shkruan “argument.mk/”.
Njëherë librat, tash paralelet
Dikur top temë nëpër media ishte mungesa e librave shqip, ose botimi i tyre me shumë gabime. Për paralelet maqedonase kishte libra të ri të mjaftueshëm, por për shqiptarët gjithmonë gjendej ndonjë problem. Ose s’kishte botime të mjaftueshme, ose librat kishin gjuhë të urrejtjes dhe tekstet nuk përktheheshin siç duket.
Krejt në fund, problemi mbetej me libra të vjetër, të grisur dhe fatkeqësisht edhe mësim pa libra.
Edhe pse ky problem nuk është zgjidhur plotësisht, sërish nuk është temë e diskutimeve, sepse disi u bë një konsolidim dhe nuk ka ndonjë reagim më të ashpër.
Problem, primar për pushtetin dhe ministrinë e arsimit gjithmonë ka qenë hapja e paraleleve të reja në gjuhën shqipe. Gjithmonë ata kanë bërë maksimumin që të pengojnë paralelet në gjuhën shqipe, sepse kjo nënkuptonte punësim të ri të profesorëve shqiptarë, marrjen nën kontroll të shkollave dhe sundim të shqiptarëve nëpër shkollat që tradicionalisht dhe historikisht i kanë pasur nën kontroll maqedonasit.
Rast më të theksuara kanë qenë në Shkup, sidomos shkolla “Cvetan Dimov” që për vite të tëra kishte drejtor maqedonas, por kur u rrit numri i nxënësve shqiptarë dhe ra poshtë numri i nxënësve maqedonas, pushteti u detyra që udhëheqjen e shkollës t’ua jepte shqiptarëve.
Ngjashëm ka ndodhur edhe me shkollën e mesme ekonomike “Arseni Jovkov”, kur shkolla kryesisht mbahej me presion nga maqedonasit dhe nuk lejoheshin të krijoheshin paralele të reja. Por, tani kur numri i nxënësve maqedonas numërohet me gishta, drejtoria dhe udhëheqësia iu besua shqiptarëve, shkruan “argument.mk/”.
Nuk mbahet arsimi gjallë me frymëmarrje artificiale!
Problem më i ri është shkolla fillore “Penko”, e cila është ngjitur me shkollën e mesme “Arseni Jovkov” dhe në vetë kufirin me komunën e Çairit. Fatkeqësisht, kjo shkollë edhe pse ka drejtor shqiptarë, nga presioni i kryetarit të Komunës Butel, Darko Kostovski, detyrohet të mbyll paralele në gjuhën shqipe, sepse gjoja s’arrin numri prej 24 nxënësve, ndërsa i mbajnë gjallë paralelet në gjuhën maqedonase me 2 e 4 nxënës!
Kjo tregon se pushteti është në panik dhe nuk di se si të mbajë gjallë diçka që ka vdekur. Në komunën e Butelit numri i nxënësve shqiptarë është dyfish se numri i nxënësve maqedonas, ndërsa kalon gjysmën e numrit të përgjithshëm të të gjithë nxënësve.
Kryetari Kostovski, mundohet që të minimizojë numrin e shqiptarëve në Butel, por kjo nuk i “pi ujë” sepse numri është aty, statistikat janë aty dhe nxënësit nuk ka ku t’i çojë.
Prandaj, sa më shpejt dhe sa më herët që e kupton se nuk mbahet “gjallë diçka që ka vdekur” është më e lehtë për atë dhe partinë e tij.
Fatkeqësia më e madhe është se numri i nxënësve në përgjithësi po zvogëlohet, por aty ku ka mundësi, duhet të mos diskriminohen nxënësit shqiptarë. Aty ku janë shumicë nuk mund t’iu thuash se janë pakicë. Nuk duhet mohuar e drejta që edhe për një nxënës nëse është e nevojshme të ketë mësim në gjuhën e tij amtare, por nuk duhet mohuar dhe anashkaluar e drejta, që të mbyllen paralele sepse nxënësit jetojnë vetëm 10 metra përballë shkollës, por në një komunë tjetër.
Me këtë gabim që e bën Kostovski, hapë probleme të tjera shumë më të thella, sepse kështu shkohet drejt ndarjes e federalizmit dhe jo drejt integrimit. Nëse secili kryetar komune thotë se nuk lejoj nxënës nga komuna tjera, atëherë veç se më vendosen pikat dhe kufijtë e ndarjes.
Andaj, pushteti duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë se “drita e dijes do të hyjë në çdo vend” dhe ajo nuk mund të ndalet, prandaj secili pushtet duhet njëherë e përgjithmonë ta mësojë leksionin e Universitetit të Tetovës dhe luftës për arsim të shqiptarëve, shkruan “argument.mk/”.

