Shkup, 24 qershor, Zhurnal.mk – Në lidhje me raportin përfundimtar të Entit Shtetëror të Auditimit për punën e Fondit të Pensioneve dhe Sigurimit Invalidor të Maqedonisë për vitin 2024, Fondi informoi sot përmes një komunikate se bëhet fjalë për auditim të rregullt vjetor, i cili realizohet çdo vit sipas ligjit dhe përfshin veprimtarinë financiare, përputhshmërinë e procedurave dhe menaxhimin e mjeteve të institucionit, duke iu referuar punës së Fondit gjatë gjithë vitit 2024.
„Në nëntë muajt e parë të periudhës së audituar, Fondi u menaxhua nga kuadri i emëruar në kohën e qeverisë së mëparshme të udhëhequr nga LSDM dhe BDI, ndërsa drejtimi aktual mori përgjegjësinë në tremujorin e fundit të vitit. Për këtë arsye, pjesa më e madhe e procedurave, vendimeve, kontratave, proceseve administrative dhe gjendjeve të konstatuara i referohen periudhës kur Fondi funksiononte nën menaxhimin e mëparshëm“, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu, theksohet se një pjesë e konsiderueshme e vërejtjeve të auditorëve lidhen me gjendje që janë përsëritur ndër vite dhe janë evidentuar edhe në raporte të mëparshme, duke treguar se bëhet fjalë për dobësi sistemike të trashëguara.
FPSI thekson se pas marrjes së funksionit, menaxhmenti aktual menjëherë nisi analizën e proceseve të rrezikshme dhe vendosi masa konkrete për tejkalimin e dobësive të konstatuara. Në fushën e prokurimeve publike janë eliminuar të gjitha mangësitë e evidentuara, janë vendosur mekanizma shtesë kontrolli, janë forcuar procedurat për planifikim dhe realizim të prokurimeve dhe është ngritur një sistem më i lartë transparence dhe llogaridhënieje. Njëkohësisht, janë ndërmarrë aktivitete për rregullimin e evidencave administrative, përmirësimin e kontrolleve të brendshme, avancimin e menaxhimit financiar, forcimin e disiplinës institucionale dhe përmirësimin e proceseve të lidhura me menaxhimin e mjeteve dhe pasurisë së Fondit.
Fondi vlerëson se dobësitë që lidhen me punën administrative dhe sistemin e prokurimeve publike tashmë janë tejkaluar, ndërsa mekanizmat e vendosur në fund të vitit 2024 dhe gjatë vitit 2025 e reduktojnë ndjeshëm rrezikun e përsëritjes së gjendjeve të konstatuara. Kjo është evidentuar edhe në raportin e Entit Shtetëror të Auditimit, në pjesën e vërejtjeve të Fondit.
FPSI sqaron edhe çështjet e hapura në opinion lidhur me detyrimet ndaj Fondit të Sigurimit Shëndetësor dhe transferet ndaj shoqërive pensionale të shtyllës së dytë.
„Rritja e këtyre detyrimeve është pasojë direkte e rritjes historikisht më të madhe të pensioneve në vend. Me vendimet e marra në periudhën e kaluar, pensionet u rritën nominalisht për rreth 7.000 denarë në muaj për të gjithë 347.000 pensionistët. Kjo nënkupton mjete shtesë prej rreth 30 miliardë denarësh në vit. Meqenëse kontributi për sigurimin shëndetësor të pensionistëve llogaritet si përqindje e pensionit të paguar (11,8%) dhe pjesa për shtyllën e dytë është 6% e kontributeve totale për sigurimin pensional, është krejtësisht e pritshme që me rritjen e pensioneve të rritet edhe detyrimi ndaj Fondit të Sigurimit Shëndetësor“, thekson FPSI.
Pagesat për këto baza varen nga mjetet e siguruara në buxhetin e Fondit dhe realizimi i tyre për vitin 2024 ishte 82,24% për FSHO dhe 92,95% për Shtyllën e Dytë.
FPSI thekson se në asnjë moment nuk është vënë në pikëpyetje sigurimi shëndetësor i pensionistëve. „Të gjithë pensionistët i realizojnë të drejtat e tyre nga sigurimi shëndetësor pa pengesa dhe i marrin shërbimet shëndetësore në kushte të njëjta si më parë“, thuhet në komunikatë.
Fondi shton se i pranon plotësisht rekomandimet e Entit Shtetëror të Auditimit dhe punon vazhdimisht për zbatimin e tyre. „FPSI mbetet i përkushtuar ndaj parimeve të ligjshmërisë, llogaridhënies, transparencës dhe menaxhimit të kujdesshëm të mjeteve të të siguruarve dhe pensionistëve. Qytetarët dhe pensionistët duhet të jenë të sigurt se stabiliteti financiar i Fondit, pagesa e rregullt e pensioneve, funksionimi i pandërprerë i sistemit pensional dhe sigurimi i vazhdueshëm i të drejtave shëndetësore të pensionistëve nuk janë vënë në pikëpyetje dhe mbeten prioritet kryesor i menaxhimit aktual të FPSI dhe i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë“, përfundon komunikata.

