Shkup, 24 qershor, Zhurnal.mk – Drejtoria e Policisë Financiare ka paraqitur kallëzime penale në Prokurorinë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe në Prokurorinë Publike Shkup kundër pesë persona fizikë: B.G. dhe G.F. si inxhinierë mbikëqyrës, si dhe E.N., M.G. dhe N.M., pronarë dhe menaxherë të dy personave juridikë, si dhe kundër vetë personave juridikë, për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” sipas nenit 353 të Kodit Penal të RMV-së, “Falsifikim ose shkatërrim i librave afariste” sipas nenit 280, “Mashtrim në dëm të mjeteve të Bashkimit Evropian – në tentativë” sipas nenit 249-a dhe “Përdorim i dokumentit me përmbajtje të pavërtetë” sipas nenit 380 të Kodit Penal.
Sipas njoftimit të Policisë Financiare, të kallëzuarit, në cilësinë e inxhinierëve mbikëqyrës, duke vepruar në kundërshtim me dispozitat ligjore, i kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve të tyre zyrtare, kanë kryer kontroll teknik të objekteve dhe kanë përgatitur raporte përfundimtare me përmbajtje të pavërtetë, në kundërshtim me nenin 33 dhe nenin 90 paragrafi 3 të Ligjit për Ndërtim. Me këtë u kanë mundësuar personave juridikë të regjistrojnë objektet e papërfunduara në Agjencinë e Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme dhe të përfitojnë pasuri të kundërligjshme.
Pronarët dhe menaxherët e personave juridikë, edhe pse ishin të vetëdijshëm se objektet nuk ishin të përfunduara dhe nuk i plotësonin kushtet ligjore për vënie në përdorim, i kanë përdorur raportet përfundimtare me përmbajtje të pavërtetë si bazë për regjistrimin e objekteve në librat publikë të Agjencisë së Kadastrës së Pasurive të Paluajtshme, me qëllim të krijimit të një pamjeje të rreme për përmbushjen e kushteve për përdorim dhe për të mundësuar pagesën e mbështetjes financiare të miratuar nga Programi për Zhvillim Rural në kuadër të Instrumentit për Ndihmë Para-Anëtarësimit të Bashkimit Evropian (IPA 3 – IPARD 2021–2027), duke përfituar pasuri të kundërligjshme në vlerë totale prej 50.141.528 denarësh, thuhet në njoftimin e Policisë Financiare.

