Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kaluar për gjykim dosjen e koncesionit të Sterilizimit.
Më 23 dhjetor GJKKO vendosi rikualifikimin e akuzave ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zv.ministrit Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj.
Sipas medieve në seancën e sotme është rrëzuar kërkesa e Beqajt për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi. Ish-ministri i Shëndetësisë kërkoi përjashtimin e saj me argumentin se Davidhi, nuk pranoi të jepte të arsyetuar vendimin për ndryshimin e akuzës në vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Beqaj ka kërkuar gjykim të zakonshëm, duke pretenduar se gjatë procesit do ta rrezojë këtë akuzë. Gjykata shpalli vendimin për kalimin e dosjes për gjykim. Në lidhje me formën e gjykimit do të shprehet trupa gjykuese e Themelit.
Nga ana e tij, ish-ministri ka hedhur poshtë akuzat duke i cilësuar si tendencioze. Ai deklaroi se nuk bie pre e presionit të gjykimit të shkurtuar për të mos hapur provat një më një.
“I gjithë ky proces penal siç e kam deklaruar në këtë sallë në mënyrë të përsëritur ka nisur si proces politik, ka vijuar si hetim politik dhe edhe ju e nderuar gjyqtare me vendimin e datës 23 dhjetor 2024 vendosët një gur të rëndësishëm në themelet e politizimit të kësaj çështje penale. Meqenëse unë Ilir Beqaj nuk mund të dilja i paakuzuar në këtë çështje penale dhe meqenëse ju e konstatuat se as shkelja e barazisë në tender, as shpërdorimi i detyrës dhe as korrupsioni pasiv nuk qëndronin, shpiket akuzën e vjedhjes dhe të grupit të strukturuar kriminal. Të siguroj se unë do t’i çmontoj dhe këto dy akuza. Por dua të deklaroj se edhe ju jeni bërë pjesë e inkuizicionit ndaj meje”, u shpreh Beqaj, raporton RTSH.
