Tiranë, 7 gusht, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se ndërkohë që vijojnë me ritme të larta punimet në aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë, është hapur për qarkullim një tjetër segment i Korridorit VIII.
“Ky projekt do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin, do të rrisë sigurinë rrugore dhe do të krijojë më shumë mundësi për zhvillimin ekonomik e turistik të zonave që lidhen përmes këtij aksi”, është shprehur më herët Rama.
Investimi është pjesë e programit për modernizimin e infrastrukturës kombëtare dhe zhvillimin e rrjetit rrugor në përputhje me objektivat e Shqipërisë 2030.
I gjithë projekti Elbasan–Qafë Thanë, 50.12 km i gjatë, është një nga më të rëndësishmit në vend, me itinerar Durrës–Elbasan – Librazhd–Qafë Thanë, për të vazhduar më tej me lidhjen e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.
Korridori VIII është një nga akset rrugore më të rëndësishme për Republikën e Shqipërisë, pasi është një korridor që lidh Shqipërinë edhe me vendet e tjera të rajonit.

