Prishtinë, 13 nëntor, argument.mk/ – Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka deklaruar se bari Avastin, i cili përdoret në terapinë kundër kancerit, vazhdon të mungojë që nga 14 gushti, duke ngritur shqetësime për mungesën e barnave onkologjike dhe vështirësitë me të cilat përballen pacientët, raporton Ekonomia Online.
Këto deklarata Jashari i bëri në interpelancën me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.
Ajo tha se mungesa e barnave është evidentuar edhe në raste të tjera, ndërsa kritikoi institucionet për vazhdimin e këtij problemi ndër vite.
“Sot vazhdon të mungojë Avastina, e cila ka munguar një lloj bari që ndihmon në terapinë e kancerit. Ka munguar prej datës 14 gusht. Rasti i fundit që më është raportuar te unë është një paciente me datën 11. Mungesa është evidentuar edhe te barna të tjera. Vite të ndryshme, barna të ndryshme, por për pacientin i njëjti problem. Ata nuk e kanë terapinë që i duhet në dispozicion. Sa vite duhet me kalu në këtë parlament, edhe me ardhë prapë me arsyetime se diku”, tha ajo.
Jashari ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e materialeve shpenzuese në spitale, pavarësisht rritjes së buxhetit për shëndetësi, i cili sipas saj ka arritur në 396 milionë euro.
“Ndërkohë buxheti për shëndetësi është rritur në 396 milionë euro, bashkë me të janë rritur edhe fondet e planifikuara për barna dhe material shpenzues. Atëherë si është e mundur që të ndahen më shumë para e pacientët të vazhdojnë që nga spitali të marrin receta për me shku me i ble vetë terapitë e tyre? Që edhe një shembull: pejt kirurgjikal. Janë prej materialeve shpenzuese, edhe sot ende në spitalet tona mungojnë. Paramendoni, pacienti duhet me shku te mjeku dhe me vazhdu me shku me terapinë e tij për me i ble pejt kirurgjikal. Nga të dhënat që unë prapë i posedoj, i ki 3 lloje të penëve që të mungojnë”, tha ajo.

