Prishtinë, 18 nëntor, argument.mk/ – Siparantum Choir do të përfaqësojë Kosovën në festivalin ndërkombëtar “Songs of Europe”, i cili do të mbahet nga 19 deri më 23 nëntor 2026 në Pragë të Çekisë.
Sipas komunikatës së këtij kori, gjatë festivalit Siparantum Choir do të ketë katër paraqitje koncertale në disa prej hapësirave të rëndësishme koncertale dhe kulturore të kryeqytetit çek, përmes të cilave do të prezantojë muzikën korale dhe krijimtarinë muzikore shqiptare e ndërkombëtare.
Paraqitja e parë do të mbahet më 19 nëntor, në orën 18:00, në sallën koncertale të Konservatorit të Pragës, në kuadër të koncertit mirëseardhës.
Ndërkaq, më 20 nëntor, kori do të performojë në Kishën e Shën Martinit në Mur, në orën 14:00, ndërsa në orën 21:30 do të jetë pjesë e koncertit “EUPHONIA”, së bashku me kore nga Gjermania, Greqia dhe Kosova.
Programi do të përmbyllet më 21 nëntor, me pjesëmarrjen në koncertin gala “Songs of Europe”, që do të mbahet në sallën prestigjioze Smetana Hall, duke filluar nga ora 15:00.
Në repertorin e përgatitur për këto paraqitje përfshihen vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, ndër ta Mark Kaçinari, Kreshnik Aliçkaj dhe Memli Kelmendi.
Programi do të shoqërohet në piano nga Agron Shujaku dhe Denita Dedushaj, ndërsa kori do të drejtohet nga dirigjenti Memli Kelmendi, me Fidan Strumcakun në rolin e asistentit të dirigjentit.
Përveç koncerteve, koristët do të kenë mundësi të punojnë me dirigjentin Oliver Rudin në një proces të përbashkët artistik dhe përgatitor për interpretimin e veprave korale. Këto vepra do të prezantohen nga të gjitha koret pjesëmarrëse në koncertin përmbyllës në Smetana Hall.
Në komunikatë thuhet se pjesëmarrja në këtë festival përbën një tjetër etapë në rrugëtimin artistik dhe ndërkombëtar të Siparantum Choir, si dhe një mundësi për promovimin e kulturës, identitetit dhe vlerave artistike të Kosovës në Pragë.
Me këtë rast, Siparantum Choir ka falënderuar Ambasadën e Kosovës në Pragë, veçanërisht ambasadoren Albesjana Iberhysaj-Kapitaj, për mbështetjen e dhënë.
Mirënjohje i është shprehur edhe organizatës ChoralSpace, si dhe donatorëve, sponsorëve dhe të gjithë përkrahësve që kanë kontribuuar në realizimin e këtij udhëtimi.
“Siparantum Choir vazhdon të përfaqësojë Kosovën në skenat ndërkombëtare, duke e bërë muzikën korale një zë të kulturës dhe identitetit tonë”, thuhet në komunikatë.

