Prej pesë ditësh ka nisur procesi i regjistrimit në platformën elektronike PER për votuesit shqiptarë të Diasporës që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Socialiste, Romina Kuko tha sot gjatë një interviste televizive, se Diaspora shqiptare ka shfaqur interes të lartë për të votuar në zgjedhjet parlamentare. Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në total janë rreth 20055 kërkesa, nga të cilat janë miratuar 4366.
“Në shqyrtim janë 13800 kërkesa. Kemi një ndasi interesante mes gjinive, djemtë dhe burrat kanë një shifër 67 për qind. Gratë janë diku te 32 për qind. Grupmosha që prevalon për aplikime, është grupmosha 26-35 vjeç, që kapin shifrën e 30 për qind të atyre që kanë aplikuar. Shumica e aplikimeve vijnë nga Italia, më pas Greqia, Gjermania, SHBA e kështu në vazhdim. Po të shikosh në pesë ditët e fundit, ka një trend të qëndrueshëm, kemi rreth katër mijë regjistrime në ditë. Në 1 muaj e gjysmë, pak më shumë, ne do ta kapim këtë shifër, ose mund të ndodhë që t’i lënë në momentin e fundit”, thotë Kuko.
Sipas Kukos, regjistrimet janë konstante dhe tendenca ka ardhur në rritje, ditë pas dite.
“Diaspora realisht kërkon të kontribuojë në demokracinë e vendit. Ka nisur një tur takimesh me strukturat e Partisë Socialiste në Diasporë, për t’i orientuar ata në procesin e regjistrimit. Regjistrimi, ka të bëjmë vetëm me një orientim. Shohim një entuziazëm që Diaspora ka, që më në fund u realizua pjesëmarrja e tyre në votim. Shohim interes shumë të lartë, edhe në jetën politike të vendit”, përfundoi Kuko.