Shkup, 13 nëntor, argument.mk/ – Ligji i ri për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, me të cilin parashihet edhe vendosja e byzylykëve elektronikë për monitorimin e autorëve të dhunës, tashmë është dorëzuar në Kuvend, njoftoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Tema e Ditës” në TV Sitel.
Toshkovski theksoi se shtëpia duhet të jetë vendi më i sigurt për gratë, nënat dhe vajzat, duke potencuar se institucionet janë të detyruara të angazhojnë të gjitha kapacitetet e tyre për t’u garantuar siguri. “Më besoni, kjo zgjidhje ligjore nuk do ta çrrënjosë plotësisht problemin e dhunës në familje, por garantoj se do të sjellë rezultate shumë më të mira se ato aktuale”, deklaroi ministri.
Ai shtoi se dispozitat e reja ligjore do ta përshpejtojnë reagimin e policisë në terren dhe do t’i forcojnë ndjeshëm mekanizmat institucionalë për veprim në raste të tilla.
“Duhet të bëjmë gjithçka. A duhet të zbatojmë një zgjidhje të re ligjore? Absolutisht po. Por duhet të jemi të vetëdijshëm se asnjë ndryshim ligjor, në vetvete, nuk do ta çrrënjosë plotësisht dhunën në familje. Ajo që mund të bëjmë është të krijojmë kushte më të mira për një reagim më të shpejtë dhe më efikas të institucioneve”, theksoi Toshkovski.

