Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti është paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku ai akuzohet për mosdeklarim të pasurisë.
Për akuzën se ai nuk i ka deklaruar mbi 172 mijë euro, Ahmeti ka thënë se ishin ndihmë financiare nga familja.
Ai ka thënë se disa herë i është nënshtruar kontrollit të pasurisë nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.
Në anën tjetër, Prokuroria propozoi që i akuzuari të dënohet me burg dhe gjobë, si dhe t’i konfiskohet shuma e padeklaruar.
Fillimisht, i akuzuari Ahmeti u deklarua i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në fjalën hyrëse, prokurori special Dren Paca deklaroi se aktakuza do të provohet me provat që do të administrohen, e këtu përfshihen përgjigja zyrtare e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, formularët e deklarimit të pasurisë për periudhën 2018-2022 gjatë mandatit të kryetarit, të dhënat e siguruara nga bankat dhe ekspertiza financiare.
Paca shtoi se pas administrimit të tyre, do të vërtetohet se i akuzuari ka deponuar mjete në shumë 172 mijë euro të cilat nuk i kishte deklaruar.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Ahmeti, avokati Arbër Istrefi, deklaroi se kundërshton në tërësi aktakuzën për arsye se nuk janë përmbushur asnjë nga elementet e parapara të veprës penale.
Ai shtoi se mjetet që po pretendohen se nuk janë deklaruar, janë deponime në llogari bankare nga vetë i mbrojturi i tij, nuk kanë origjinë kriminale dhe nuk ka pasur asnjë qëllim të fshehjes së tyre.
Vetë Ahmeti, deklaroi se gjatë periudhës së lartcekur i është nënshtruar kontrollit të plotë nga APK-ja dhe asnjëherë nuk ka pasur ndonjë problem apo vërejtje nga APK.
“Gjatë kësaj periudhe, une i jam nënshtruar disa herë kontrollit të plotë nga APK, që sipas ligjit bëhet me llotari dhe përzgjedhen 20 për qind të zyrtarëve. Unë jam përzgjedhur disa herë në këtë procedurë dhe sipas Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit, në qoftë se Agjencioni gjen parregullsi i shkruan zyrtarit dhe i jep afat 15 ditor që të përmirësojë deklarimin e pasurisë. Pas këtyre kontrolleve, nuk kam marrë asnjë shkresë nga Agjencioni”, deklaroi Ahmeti.

