Shkup, 24 qershor, Zhurnal.mk – „Vezilka“ është fillimi i një procesi që do të kontribuojë për një shkencë më të fortë, ekonomi më të mirë dhe më shumë mundësi për të rinjtë, si dhe do të ndihmojë vendin të pozicionohet aty ku njohuria ka rëndësi të madhe, duke mbështetur inovacionin dhe krijuar kushte që e ardhmja të ndërtohet në vend me potencial, ekspertizë dhe vizion vendas, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski në promovimin e „Vezilka“ – Fabrika Kombëtare për Inteligjencë Artificiale. Projekti koordinohet nga Fakulteti i Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë (FINKI) pranë UKIM, në bashkëpunim me Ministrinë për Transformim Digjital. Përmes partneritetit strategjik me fabrikën e inteligjencës artificiale „Pharos“ në Greqi, „Vezilka“ e përfshin vendin në ekosistemin evropian për inteligjencë artificiale dhe kontribuon në vizionin evropian për inteligjencë artificiale të besueshme, inovative dhe me njeriun në qendër.
Sipas Mickoskit, qasja në infrastrukturën evropiane për inteligjencë artificiale dhe kapacitetet e avancuara të superkompjuterëve do të mundësojë që idetë e krijuara në vend të konkurrojnë në nivel evropian dhe global. Kjo, theksoi ai, paraqet nxitje të fortë për rritjen ekonomike, vende të reja pune dhe mundësi për gjeneratat që vijnë.
Përmes këtij qendre, kryeministri vlerësoi se hapen perspektiva të reja për studiuesit dhe universitetet maqedonase, për komunitetin e start-up-eve dhe për kompanitë që duan të zhvillojnë produkte e shërbime me vlerë të shtuar. Ai veçoi rëndësinë e zhvillimit të modeleve gjuhësore maqedonase dhe mjeteve digjitale në gjuhën maqedonase, duke e cilësuar si çështje të vazhdimësisë kulturore, zhvillimit shkencor dhe vetëbesimit kombëtar.
Mickoski theksoi se „Vezilka“ është investim në të ardhmen e potencialit të shkencëtarëve, studiuesve, studentëve dhe kompanive maqedonase, me përcaktim të qartë që shteti të jetë pjesëmarrës aktiv në proceset teknologjike që formësojnë botën moderne. Ai shtoi se zhvillimi i inteligjencës artificiale tashmë krijon modele të reja ekonomike, hap industri të reja dhe vendos standarde të reja për konkurrueshmëri, prandaj themelimi i Qendrës Kombëtare për Inteligjencë Artificiale është hap i rëndësishëm që shkon përtej një projekti të vetëm.
„Vezilka“ është themeluar në kuadër të Bashkësisë Evropiane për Llogaritje me Performancë të Lartë (EuroHPC JU – European High Performance Computing Joint Undertaking) dhe bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian përmes programit „Horizon Europe“. Në ngjarjen e promovimit do të mbahet edhe një panel-diskutim me temë „Inteligjenca artificiale si motor për zhvillim ekonomik“.

