Shkup, 28 korrik, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se aktualisht nuk është i fokusuar në mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por në realizimin e projekteve infrastrukturore dhe politikave që siç theksoi do ta përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse Qeveria do të kërkojë konsultime shtesë me opozitën për shkak të ligjeve të bllokuara në Kuvend, si pasojë e mungesës së shumicës së Badenterit ose filibasterimit, Mickoski theksoi se Qeveria e ka kryer pjesën e saj të punës dhe se procedura e mëtejshme është kompetencë e Parlamentit.
„Unë jam i fokusuar në punë. Si kryeministër, merrem me nisjen e projekteve të reja – si autostrada Blacë–Shkup, segmenti Bukojçani–Kërçovë, si dhe projektet e Korridorit 8 dhe faza e tretë e hekurudhës, për të cilën tenderi do të publikohet këtë ose javën e ardhshme. Këto janë projektet që do të sjellin një cilësi më të mirë jete për qytetarët“, tha Mickoski gjatë vizitës në Komunën e Ilindenit.
Ai shtoi se llogaritjet dhe kalkulimet politike i lë në dorë të partive opozitare, duke theksuar se prioriteti i tij mbetet zhvillimi i shtetit.
„Sa të jem kryeministër, do të flas për projekte. Projektligjet tashmë janë në procedurë parlamentare. Qeveria i ka përgatitur, kanë kaluar të gjitha procedurat e nevojshme dhe tani janë në kompetencë të Kuvendit. Kjo është çështje për deputetët“, përfundoi Mickoski.

