Shkup, 7 tetor, argument.mk/ – Qëllimi është deri në fund të mandatit të mos ketë asnjë fëmijë në listat e pritjes për çerdhe, deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski, i cili sot mori pjesë në hapjen e çerdhes së re në Shuto Orizare “8 Prill”.
„Jam me të vërtetë shumë i lumtur që ky objekt po e merr thelbin e vet, po e merr destinimin e tij të vërtetë. E ai është të jetë shtëpi për fëmijët që këtu do të mund ta kalojnë fëmijërinë e tyre, le të themi kështu, ditët më të bukura të jetës së tyre. Ne si Qeveri, siç tashmë e dëgjuat edhe nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, ambasadorët e nderuar, shumë shpejt do të japim pëlqim për punësimin e kuadrit dhe në atë mënyrë gjithçka që është investuar dhe bërë do të vihet në funksion“, tha Mickoski.
Ai tha se më nuk do të ketë listë pritjeje për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe në Komunën e Shuto Orizares, pra kapacitetet do të jenë tërësisht të mbushura.
Mickoski tha se qëllimi është të mos ketë më lista pritjeje në të gjitha çerdhet në shtet.
„Nëse numri ishte 4.500 në fillim të mandatit të kësaj Qeverie, qëllimi është në fund të mandatit të kësaj Qeverie të kemi zero fëmijë që do të jenë në listë pritjeje. Mendoj se edhe më herët do ta realizojmë këtë, por gjithçka varet nga dinamika e ndërtimit të objekteve“, tha Mickoski.

