Shkup, 18 nëntor, argument.mk/ – Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, gjatë Konferencës Ministrore të ReSPA-s me temë “Administrata publike e gatshme për të ardhmen: zhvillimi profesional dhe qeverisja elektronike për anëtarësim në BE”, që po mbahet në Beograd, theksoi se administrata e së ardhmes ndërtohet me njerëz që posedojnë njohuri, vizion dhe kapacitet për të udhëhequr ndryshimet.
Në fokus të fjalimit të tij ishte themelimi i Akademisë për Aftësim dhe Trajnim Profesional të Nëpunësve Administrativë, të cilën e vlerësoi si bazë për profesionalizimin e administratës dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale të gatshme për t’iu përgjigjur sfidave moderne dhe procesit të integrimit evropian.
“Me miratimin e zgjidhjes ligjore në vitin 2025, vendosëm bazën juridike për një qasje sistematike ndaj avancimit profesional të nëpunësve administrativë. Por ambicia jonë është shumë më e madhe sesa krijimi i një institucioni që do të organizojë trajnime. Akademia duhet të jetë shtylla e vlerës institucionale, të krijojë profesionistë dhe liderë të ardhshëm dhe në mënyrë strategjike të zhvillojë kompetencat e administratës së së ardhmes”, deklaroi Minçev.
Ai vuri theks të veçantë në prioritetet për operacionalizimin e plotë të Akademisë, forcimin e kapaciteteve të saj, zhvillimin e programeve të bazuara në kompetenca dhe avancimin e proceseve digjitale për menaxhimin e trajnimeve dhe zhvillimit profesional të nëpunësve administrativë.
Sipas tij, mbështetja nga ReSPA dhe partnerët evropianë është e një rëndësie të veçantë për zhvillimin e zgjidhjeve moderne, të integruara dhe të qëndrueshme, të cilat do të lehtësojnë qasjen në trajnime, do të përmirësojnë monitorimin e zhvillimit profesional dhe do të kontribuojnë në menaxhim më efikas të dijes në sektorin publik.
“Digjitalizimi i proceseve të avancimit profesional nuk duhet të jetë vetëm një përmirësim teknik, por një instrument për menaxhim më efikas të dijes në të gjithë sektorin publik. Qëllimi ynë është të ndërtojmë një zgjidhje të qëndrueshme që do t’u shërbejë institucioneve dhe nëpunësve administrativë, nga identifikimi i nevojave për trajnim deri te vlerësimi i rezultateve të arritura”, theksoi Minçev.
Ai shtoi se përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe evropian, si dhe përmes vendosjes së Akademisë si një qendër moderne për zhvillim profesional, Ministria e Administratës Publike po investon në kapitalin njerëzor të institucioneve dhe në krijimin e një administrate që jo vetëm do t’i ndjekë standardet evropiane, por do të jetë e gatshme edhe t’i zbatojë ato në praktikë dhe t’u përgjigjet pritjeve të qytetarëve.

