Shkup, 8 tetor argument.mk/ – Gjykata e Apelit në Shkup përballet me mungesë serioze të kuadrit gjyqësor, administratës gjyqësore dhe gjyqtarëve-porotë, por pavarësisht sfidave kadrovike, gjykata do të vazhdojë të funksionojë në mënyrë efikase, deklaroi ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës së Apelit në Shkup, Zoran Gerasimoski.
Në brifingun e sotëm me gazetarët, Gerasimoski theksoi se sipas sistematizimit, në Gjykatën e Apelit në Shkup duhet të jenë të angazhuar 51 gjyqtarë dhe kryetari i gjykatës, ndërsa aktualisht funksionin gjyqësor e ushtrojnë vetëm 35 gjyqtarë.
“Në këtë moment, funksionin gjyqësor në Gjykatën e Apelit në Shkup e ushtrojnë vetëm 35 gjyqtarë. Problemi me mungesën e kuadrit gjyqësor është i pranishëm prej një periudhe më të gjatë”, tha Gerasimoski.
Probleme ka edhe me administratën gjyqësore. Nga gjithsej 245 vende të parapara të punës në shërbimin gjyqësor, aktualisht janë plotësuar vetëm 101. Edhe pse për vitin 2026 janë miratuar 10 punësime të reja, procedura për realizimin e tyre ende është në zhvillim.
Një tjetër problem serioz është mungesa e gjyqtarëve-porotë. Sipas sistematizimit janë paraparë 32 vende, ndërsa aktualisht janë të plotësuara vetëm shtatë.
“Pagesa është përcaktuar që në vitin 2018 dhe që atëherë nuk është ndryshuar. Kjo do të thotë se shuma prej 570 denarësh në ditë është shumë e ulët dhe aktualisht kemi vetëm shtatë gjyqtarë-porotë”, deklaroi Gerasimoski.
Megjithatë, ai vlerësoi se pavarësisht problemeve me mungesën e stafit, Gjykata e Apelit në Shkup do të vazhdojë të punojë me kohë dhe në mënyrë efikase.
“Unë konsideroj se edhe me këtë numër gjyqtarësh dhe me këtë administratë, siç është edhe në këtë moment, Gjykata e Apelit në Shkup do të mbetet gjykatë efikase”, theksoi Gerasimoski.
Sa i përket çështjes së parandalimit të korrupsionit në gjyqësor, ai tha se në rastet që janë duke u zhvilluar para gjykatave kompetente do të respektohet prezumimi i pafajësisë.
Gerasimoski theksoi se nëse paraqiten dyshime për korrupsion në gjykatë, do të ndërmerren masa përkatëse përmes institucioneve kompetente.
“Për atë nëse ka korrupsion në gjykatë, nuk e di. Edhe vetë e përmendët rastin e gjyqtarit Gjoko Ristov. Do ta respektoj prezumimin e pafajësisë deri në përfundimin përfundimtar të procedurës që zhvillohet para Gjykatës Themelore Shkupi 1. Nëse paraqiten raste të tilla dhe vijnë tek unë si ushtrues detyre i kryetarit të kësaj gjykate, normalisht do të ndërmerren masat përkatëse përmes institucioneve kompetente dhe do të veprohet menjëherë”, deklaroi ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës së Apelit në Shkup.

