Nga: John Lennon dhe Paul McCartney (The Beatles, 1969)
Përktheu: Agron Shala
Fjalët rrjedhin si shi i pafund në një gotë letre,
rrëshqasin egërsisht teksa largohen nëpër gjithësi.
Pellgjet e trishtimit, valët e gëzimit lundrojnë nëpër mendjen time të hapur,
duke më pushtuar e duke më përkëdhelur.
Xhai Guru Dejva, Om [Gjithë lavdërimi i takon Guru Dejvit – mësuesit hyjnor]
Asgjë s’ka për ta ndryshuar botën time,
asgjë s’ka për ta ndryshuar botën time.
Pamjet e dritës së thyer vallëzojnë para meje si një milion sy,
më thërrasin pareshtur nëpër gjithësi.
Mendimet gjarpërojnë si një erë e trazuar brenda një kutie postare,
rrokullisen verbërisht teksa përshkojnë rrugën e tyre nëpër gjithësi.
Xhai Guru Dejva, Om [Gjithë lavdërimi i takon Guru Dejvit – mësuesit hyjnor]
Asgjë s’ka për ta ndryshuar botën time,
asgjë s’ka për ta ndryshuar botën time.
Tingulli i të qeshurave, nuancat e jetës kumbojnë nëpër veshët e mi të hapur,
duke më nxitur e duke më ftuar.
Dashuri e pakufishme, e pavdekshme, që shkëlqen rreth meje si një milion diej
dhe më thërret pareshtur nëpër gjithësi.
Xhai Guru Dejva, Om [Gjithë lavdërimi i takon Guru Dejvit – mësuesit hyjnor]
Asgjë s’ka për ta ndryshuar botën time,
asgjë s’ka për ta ndryshuar botën time.
Xhai Guru Dejva,
Xhai Guru Dejva.

