Stenda e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “Fitur 2025” në Madrid, Spanjë ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve të shumtë, por jo vetëm.
Kureshtarë për të mësuar më shumë rreth destinacioneve dhe ofertave turistike që ofron vendi ynë, vizitorët kanë shfaqur interes të lartë.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela, e cila ndodhet në Madrid në kuadër të këtij panairi, tha për ATSH-në se “pjesëmarrja e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Spanjë tanimë është kthyer në traditë. Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantohet me moton “Albania All Senses” duke promovuar në stendën tonë destinacionet turistike e produktet shqiptare, si dhe ku jepet informacion mbi shërbimet turistike”.
“Në panair janë të shumtë vizitorët dhe agjencitë që po vizitojnë stendën shqiptare, por nuk mungojnë as investitorët e shumtë që kanë një interesim të veçantë për të investuar në vendin tonë”, tha Çela.
Në panair medie ndërkombëtare të shumta kanë intervistuar drejtoreshën e AKT-së, Zana Çela, duke treguar interes të lartë për promovimin e Shqipërisë, të cilën e kanë cilësuar si vendi më trend dhe që kërkohet më shumë nga vizitorët.
“Ditën e djeshme zhvillova një takim me përfaqësuesin e National Geographic Traveler nga Mbretëria e Bashkuar, Mark Salmon, me të cilin biseduam rreth mundësisë së promovimit të vendit tonë në revistën prestigjioze me famë ndërkombëtare. Një tjetër takim zhvillova me përfaqësuesen e grupit mediatik të liderit global të udhëtimeve Expedia, Ana Jiménez. Expedia synon bashkëpunim me Shqipërinë, duke qenë se është kthyer në një prej destinacioneve më të kërkuara nga turistët në dy vitet e fundit”, tha Çela.
Drejtoresha e AKT-së, Çela u shpreh se “kompani të rëndësishme ajrore ndërkombëtare dhe të hotelerisë kanë shprehur një interes të madh për tregun turistik shqiptar. Gjithashtu stendën shqipare e kanë vizituar shumë shtetas gjermanë, që janë interesuar për turizmin malor, por edhe për Ksamilin, sepse e kanë parë Shqipërinë në mediet online dhe rrjetet sociale. Gjermanët kanë pasur interes edhe për vizita të gjata në Shqipëri. Ndërsa të rinjtë nga Madridi kanë shfaqur interes për të mësuar më shumë për Tiranën dhe jugun e Shqipërisë”.
Por, shtoi Çela, edhe agjencitë turistike amerikane janë interesuar për të sjellë grupe turistësh, si grup-mosha të rinjsh, por edhe pensionistë që kanë dëshirë të bëjnë udhëtime në Evropë dhe ku Shqipëria është një ndër pikat e ndalimit për pushimet e tyre.
Çela veçoi edhe vizitën e stendën e Shqipërisë edhe të Laura Field, kryeredaktore rajonale e revistës “Wanderlust”, e famshme për udhëtimet.
Panairi “Fitur 2025” është pika globale e takimit për profesionistët e turizmit dhe panairi kryesor për tregjet hyrëse dhe dalëse në vendet iberike.
“Ky panair është takimi i parë i vitit për profesionistët botërorë të turizmit. Përgjatë pesë ditëve, nga 22 – 26 janar, panairi po mbledh 152 vende të botës dhe mirëpret profesionistë nga sektori i turizmit, autoritete vendimmarrëse, si dhe vizitorë. Të interesuar për të mësuar më shumë rreth destinacioneve dhe ofertave turistike, qytetarët kanë mundësi ta vizitojnë panairin edhe në fundjavë”, tha Çela.
“11,7 milionë vizitorë të huaj (11,696,078) erdhën në Shqipëri gjatë vitit të kaluar, duke shënuar rritjen më të madhe në këtë dekadë, si dhe një rritje prej 15,2% krahasuar me vitin 2023. Një prurje kaq e madhe turistësh lidhet natyrshëm me promovimin e suksesshëm dhe efikas, si dhe me ofertën e diversifikuar të Shqipërisë, duke përmbushur kërkesën e çdo turisti”, shtoi Çela.
Ky rekord historik i shënuar në turizmin shqiptar, tha Çela, përveç hyrjeve të turistëve nga vendet e rajonit të Ballkanit, konfirmon zgjerimin e tregut turistik edhe me vizitorë e Evropës Perëndimore si Spanja, Italia, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe.
“Të kënaqur me arritjet por edhe të “etur” për të arritur rekorde të reja jemi sërish këtë vit Panairin e Madridit, ku na presin takime me qëllimin që të gjenerojnë ide dhe mundësi mbi projekte dhe marrëveshje të reja”, theksoi Çela.
Gjatë pesë ditëve të panairit “Fitur 2025”, stenda e Shqipërisë po kthehet në një qendër aktivitetetesh, pjesë e axhendës së organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, e konceptuar si një miks përvojash që prezantojnë Shqipërinë si destinacionin më emocionues në Europë, që nga përjetimet përmes eksplorimit virtual të vendit, “Albanian Nights” të frymëzuara nga trashëgimia e pasur e traditave të kulturës dhe jetës së komuniteteve, deri tek përvojat e degustimit të ofruara nga Shoqata Shqiptare e Agroturizmit.
Gjatë gjithë vitit të kaluar Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “Fitur” u vizitua nga 250 mijë vizitorë.