Shkup, 2 shkurt – Informimi jo i saktë, tendencioz e për qëllimi fitimi është i dëmshëm dhe me pasoja të mëdha për një shoqëri. Infodemia është edhe më e dëmshme se pandemia, sepse nuk kemi të bëjmë me një virus por me një makineri që shpërndajnë pa reshtur gjëra janë shumë të rrezikshme për një shoqëri të tërë. “Lajmet e rreme” burimin e kanë nga “gazetaria pa redaksi”, që nuk dihet kush publikon atë lajm as kush qëndron prapa atij portali apo medias onlajn. Hulumtimi në kuadër të projektit “Ndërtimi i kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe gazetarëve përmes trajnimeve”, i cili zbatohet nga kjo organizatë, me mbështetjen e IFEX-it ( Rrjeti Global për Promovimin dhe Mbrojtjen e Lirisë së Shprehjes) ka nxjerrë në pah se qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë duke e humbur besimin te mediat si rrjedhojë e dezinformatave. Dhe, në një vend ku dezinformata është mjet propagandues i përditshëm është në rrezik e ardhmja dhe siguria e atyre qytetarëve, shkruan Zhurnal.
Dezinformatat kërcënojnë sigurinë e qytetarëve –
Hulumtimi në kuadër të projektit “Ndërtimi i kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe gazetarëve përmes trajnimeve”, i cili zbatohet nga kjo organizatë, me mbështetjen e IFEX-it ( Rrjeti Global për Promovimin dhe Mbrojtjen e Lirisë së Shprehjes) ka nxjerrë në pah se qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë duke e humbur besimin te mediat si rrjedhojë e dezinformatave.
Hulumtimi në fjalë ka nxjerr në pah se një numër i madh i qytetarëve në vend (49%) besojnë se lufta në Ukrainë është, në fakt, një luftë midis Rusisë dhe NATO-s. Kjo përqindje është më e lartë te qytetarët me arsim të lartë (50%), krahasuar me qytetarët me arsim të mesëm (44%) dhe qytetarët me arsim të ulët (35%).
Rreth 39 për qind e qytetarëve besojnë se në Ukrainë ekzistojnë laboratorë amerikanë për krijimin e armëve biologjike.
“Lufta në Ukrainë është luftë mes NATO-s dhe Rusisë”, “Ukraina rekruton fëmijë në frontin e luftës”, “Tregti me organe në Ukrainë” janë këto pjesë të qindra titujve në brendinë e së cilave janë shpërndarë dezinformata.
Në bazë të hulumtimit që ka realizuar organizata, në të gjitha këto tekste Ukraina portretizohet në dritën më të keqe të mundshme. Përkatësisht, Ukraina paraqitet si shtet i korruptuar shumë më i dobët ndaj Rusisë, ndërkohë që Rusia paraqitet si superiore dhe e fuqishme.
Gjatë hulumtimit, qytetarët janë pyetur se cilat burime apo entitete i promovojnë interesat dhe qëndrimet pro-ruse në Maqedoninë e Veriut, me ç’rast 15 për qind e tyre janë shprehur se kjo vjen nga partia politike E Majta, për dallim nga viti i kaluar kur kjo përqindje ishte rreth katër. Hulumtimi i organizatës Metamorphosis ka nxjerrë në pah se shumica e dezinformatave pro-ruse për qytetarët maqedonas vijnë përmes mediave serbe, pasi, sipas tyre, Serbia është një vend që ende nuk ka sanksione ndaj Rusisë.
Si ndikon dezinformimi në publik?
Se sa dezinformata krijon stres dhe panik te qytetarët, tregon rasti i dy javëve më parë, kur u bë publike informacioni se tre deri në nëntë adoleshentë vdiqën në parkun e qytetit në Shkup nga droga. Ky lajm mund të futet në listën e informacioneve më të rrezikshme, të publikuara deri më tani, në të cilat vihet në pikëpyetje jeta e të rinjve dhe i gjithë ky është vetëm një lajm i rremë, i cili shkaktoi panik shtesë në këtë kohë stresuese.
“Dezinformimi, si një “grumbull” informacionesh të pasakta, që krijohet dhe publikohet qëllimisht në rrjetet sociale dhe në media, mbart me vete një rrezik të madh. Shpesh, përdoruesit e rrjeteve sociale i ndajnë ato vetëm me një “klik”, pa u ndalur së menduari nëse një përmbajtje e caktuar është false apo jo. Dhe këtu qëndron rreziku më i madh”, thotë në një prononcim për “Fokus” Marina Tuneva, eksperte e mediave.
Sipas saj, është zhgënjyese fakti që transferimi i shpejtë i dezinformatave në komunikimin publik rrit efektivitetin e tyre dhe pasojë e kësaj shpeshherë është një publik i zemëruar, në panik, i frikësuar apo i çorientuar.
“I tillë është rasti me (de)informatat rreth adoleshentëve që dyshohet se kanë vdekur nga droga dehëse. Dezinformimi ose informacioni i gabuar është veçanërisht i rrezikshëm kur në shpërndarjen ose vazhdimin e tyre përfshihen njerëz që gëzojnë besueshmëri dhe besim te qytetarët.
Teknologjia digjitale vetëm sa i përmirëson më tej këto tregime, të cilat arrijnë kështu një audiencë shumë më të gjerë. Mediat sociale po kthehen në një lloj makinerie që është përshtatur në mënyrë perfekte për të përhapur dezinformata. Por problemi është se me dije apo jo, në grackë bien edhe mediat, të cilat duke iu referuar asaj që publikohet në rrjetet sociale, marrin pjesë në mënyrë të barabartë në manipulimin e publikut”, pohoi Tuneva.
Duhet edukim të posaçëm mediatik për të identifikuar “lajmet e rreme”-
Mediat që i përmbahen parimeve të punës profesionale kanë një rol të madh në paraqitjen e së vërtetës, dhe ky mbase është roli kryesor i tyre. Dhe, duke mbajtur qëndrime të tilla disa media të caktuara në vend do të jenë dritare verifikimi për secilin lajm që plasohet në opinion dhe për të cilin ka hamendësi, qytetarët do të kenë ku të futen për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me të vërtetë apo është një dezinformim.
Por, në përgjithësi është më së e nevojshme madje shihet si nevojë imediate që edukimi mediatik të futet si lëndë mësimore në shkollat e mesme. Që në fazë sa më të hershme gjeneratat e reja të jenë të trajnuara në formën e duhur për të detektuar “lajmet e rreme” dezinformimin. Pra, kjo shihet si metoda e vetme përmes të cilës mund të mbrohemi si shoqëri nga kjo veprimtari famëkeqe që janë krijuar laborator për fabrikim të informatave të pasakta për një grusht klikimesh. Gjë që është shumë e rrezikshme dhe shumë e dëmshme për shoqërinë. /Zhurnal.mk