Shkup, 22 qershor – Në Shkup u mbajt Panairi i parë BE-MK për zhvillim të qëndrueshëm lokal dhe rrjetëzim, në organizim të programit “BE-ja për komunat”, financuar nga Bashkimi Evropian, i cili bashkoi komunat nga vendi dhe partnerët e tyre nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian me qëllim të shkëmbimit të praktikave të mira, prezantimit të zgjidhjeve diplomatike dhe inkurajimit të bashkëpunimeve të reja për zhvillim të qëndrueshëm në nivel lokal.
Ngjarjen zyrtarisht e hapën ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski dhe menaxheri i programit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shkup, Enco Damiani, të cilët në fjalimet e tyre dërguan një mesazh të fortë për vlerën e vetëqeverisjes lokale në procesin e afrimit drejt Bashkimit Evropian.
Ministri Perinski tha se partneriteti mes Qeverisë, komunave dhe Delegacionit Evropian është nga vlera thelbësore për integrimin e suksesshëm të vendit në Bashkimin Evropian, duke shtuar se integrimi në BE nuk është vetëm qëllim politik, por edhe proces i reformave të thella të cilat përmirësojnë jetën e qytetarëve.
“Nëpërmjet krijimit të një Qendre Burimore do të sigurohet mbështetje shtesë për zhvillimin e vetëqeverisjeve lokale. Fokusi është në tre komponentë: mbështetja e menaxhimit të projekteve, forcimi i kapaciteteve administrative të komunave dhe përshpejtimi i transformimit dixhital. Veçanërisht i rëndësishëm është bashkëpunimi në kuadër të programeve të financuara nga BE-ja, si “BE për komunat”, të cilat mundësojnë zgjidhje inovative për përmirësimin e shërbimeve lokale dhe stimulimin e zhvillimit ekonomik lokal”, tha Perinski në fjalën e tij.

Menaxheri i programit Damiani theksoi se integrimi në BE fillon në nivel lokal. Ai nënvizoi se Programi i BE-së për Komunat ka ofruar mbështetje për pothuajse 81 komuna në vend, me rezultate konkrete në shumë fusha, duke përfshirë lëvizshmërinë urbane, dixhitalizimin, efikasitetin energjetik dhe menaxhimin e mbetjeve.
“Me mbështetjen e “BE për Komunat”, u vendos edhe Organizata për menaxhment të destinacioneve (DMO) në rajonin e Vardarit, e cila tashmë realizon bashkëpunim rajonal dhe tejkufitar me komunat e Greqisë dhe Gjermanisë. Plotësisht, funksionon edhe shërbimi i specializuar për mbështetje (Helpdesk), i cili deri tani është përgjigjur pothuajse në 1.000 kërkesa të ndryshme të komunave. Dua të shpreh falënderim të sinqertë për të gjitha komunat, institucionet dhe partnerët të cilët treguan se vlerat evropiane tani janë të pranishme edhe në nivel lokal të vendit”, tha Damiani.

Panairi bashkoi përfaqësuesit e vetëqeverisjeve lokale, ministrive, delegacioneve nga Gjermania dhe Greqia, si dhe organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë. Tetë stendat e ekspozitës prezantuan zgjidhje të bashkëfinancuara nga BE, si dhe praktika të mira në menaxhimin e destinacionit, lëvizshmërinë e qëndrueshme dhe mbështetjen për komunat. Ngjarja shërbeu gjithashtu si një platformë për partneritete të reja, takime dypalëshe dhe shkëmbim përvojash midis aktorëve vendas dhe ndërkombëtarë.