Shkup, 7 tetor, argument.mk/ – Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i VMRO‑DPMNE dhe deputet Brane Petrushevski në konferencën e sotme për shtyp kërkoi nga Prokuroria Publike ta hetojë rastin e prokurimit për të cilin kryetari i LSDM, Venko Filipçe, ka dhënë akuza se bëhet fjalë për krim me vlerë 37 milionë euro.
Petrushevski në konferencë për shtyp akuzoi se Filipçe nuk ka reaguar derisa LSDM ishte në pushtet dhe derisa Slavjanka Petrovska ishte ministre, por për rastin ka folur vetëm pasi, sipas tij, ka ardhur deri te mosmarrëveshjet mes tyre.
“Derisa LSD ishte në pushtet, ndërsa Petrovska ishte ministre, Filipçe heshtte. Për prokurimin më të shtrenjtë për 37 milionë euro u kujtua vetëm kur u grindën mes vete”, tha Petrushevski.
Ai theksoi se opinioni duhet të marrë përgjigje për pretendimet që i ka dhënë Filipçe, duke nënvizuar se akuzat për krim në një shumë të tillë, sipas tij, nuk duhet të jenë pjesë e përplasjes partiake.
Petrushevski tha se e përshëndet faktin që Filipçe publikisht e ka hapur çështjen, por njëkohësisht bëri thirrje që institucionet kompetente ta hetojnë rastin.
“E inkurajojmë veprimin e Filipçes që të flasë, por gjithashtu e ftojmë edhe Prokurorinë Publike ta hetojë rastin për të cilin, përndryshe, janë dorëzuar të gjitha informacionet te institucionet kompetente”, theksoi Petrushevski.
“Drejtësi duhet të ketë”, porositi ai.

