Në Tiranë po zhvillohet sot faza finale e garës ndërkombëtare për projektide arkitekturore për rilindjen e stadiumit “Selman Stërmasi”, ku 5 skuadrat finaliste do të prezantojnë përpara jurisë, konceptet arkitektonike për një stadium krejtësisht të ri, sipas standardeve të UEFA-s, kategoria IV, i cili do ta kthejë atë zonë në një qendër të re të Tiranës.
Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, kryeministri Edi Rama theksoi se kjo është një tjetër garë e organizuar nga Korporata Shqiptare e Investimeve për një tjetër zhvillim me shumë rëndësi në disa aspekte për kryeqytetin.
Rama theksoi se ky projekt vjen pas projekteve për tre stadiume të tjera: në Durrës, Vlorë dhe Korçë, të cilat janë tani në fazë zhvillimi.
“Më vjen shumë mirë që pas tre stadiumeve të reja të cilat janë në proces tani, pasi janë përzgjedhur fituesit, janë bërë projektet e zbatimit dhe AIC ka shpallur garën për zhvilluesit. Këto nuk janë stadiume ekzaktësisht, por janë qendra të reja urbane në Durrës, në Vlorë dhe Korçë”, shtoi Rama.
Kryeministri shprehu bindjen se edhe stadiumi “Selman Stërmasi” do të jetë një tjetër bërthamë për një qendër të re urbane në kryeqytet.