Këshilli i Ministrave miratoi, në mbledhjen e datës 2 tetor 2026, projektligjin “Për Tregjet e Kripto-Aseteve”, të hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një kuadri të plotë rregullator për tregun e kripto-aseteve në Shqipëri.
Projektligji synon të vendosë rregulla të qarta për emetimin e kripto-aseteve dhe ofrimin e shërbimeve të lidhura me to, si dhe të përafrojë legjislacionin shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian në fushën e financave digjitale. Në thelb, ai transpozon Rregulloren (BE) 2023/1114, të njohur si MiCA, një nga aktet kryesore të Bashkimit Evropian për rregullimin e tregjeve të kripto-aseteve.
Në terma praktikë, projektligji përcakton rregullat për një pjesë të madhe të shërbimeve që sot lidhen me tregun e kriptomonedhave dhe kripto-aseteve. Ai përfshin, ndër të tjera, platformat ku përdoruesit mund të blejnë, shesin apo shkëmbejnë kripto-asete, shërbimet e ruajtjes dhe administrimit të tyre në portofole digjitale, këmbimin e kripto-aseteve kundrejt fondeve ose kripto-aseteve të tjera, si dhe shërbimet e ndërmjetësimit për klientët.
Në fushën e tij të zbatimit përfshihen gjithashtu marrja, transmetimi dhe ekzekutimi i urdhrave për kripto-asetet, shërbimet e transfertave, këshillimi për investimet në kripto-asete dhe administrimi i portofoleve të tyre. Projektligji vendos njëkohësisht rregulla për emetimin dhe ofertën ndaj publikut të kripto-aseteve, duke përcaktuar informacionin që duhet t’u vihet në dispozicion investitorëve përpara se një kripto-aset të ofrohet apo të pranohet për tregtim.
Një vëmendje e posaçme i kushtohet edhe tokenave të aseteve dhe tokenave të parasë elektronike, për të cilët parashikohen kërkesa të diferencuara në varësi të natyrës, funksionit ekonomik dhe rreziqeve që mund të paraqesin për investitorët, tregun dhe stabilitetin financiar.
Operatorët që do të ushtrojnë veprimtari në këtë treg do t’u nënshtrohen kërkesave për autorizim dhe mbikëqyrje, si dhe standardeve të përcaktuara për kapitalin minimal, qeverisjen korporative, menaxhimin e konfliktit të interesit, kontrollin e brendshëm, sigurinë kibernetike dhe qëndrueshmërinë operacionale.
Projektligji parashikon gjithashtu detyrime për transparencën e dokumentit informues të kripto-asetit dhe të komunikimeve të marketingut, si dhe masa për parandalimin e tregtimit të brendshëm, manipulimit të tregut dhe formave të tjera të abuzimit. Një pjesë e rëndësishme e kuadrit të ri lidhet edhe me zbatimin e kërkesave për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Ndryshe nga kuadri ekzistues, i cili mbulon vetëm një pjesë të aktiviteteve që lidhen me asetet digjitale, projektligji i ri synon të krijojë një regjim të plotë dhe të integruar rregullator, të ndërtuar mbi modelin evropian MiCA. Kjo do të thotë jo vetëm zgjerim të listës së veprimtarive të rregulluara, por ngritjen e një arkitekture të re mbikëqyrëse që vendos në qendër sigurinë juridike, transparencën dhe mbrojtjen e investitorëve.
Sipas kuadrit të propozuar, mbikëqyrja do të ndahet ndërmjet Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bankës së Shqipërisë, në varësi të kategorisë së subjektit dhe të kripto-asetit.
Me projektligjin e ri, Shqipëria synon gjithashtu të krijojë një bazë më të qartë për licencimin e operatorëve që duan të ofrojnë shërbime në tregun e kripto-aseteve. Për subjektet që hyjnë në këtë treg, rregullat e licencimit, organizimit dhe mbikëqyrjes do të mbështeten tashmë në një kuadër ligjor më të avancuar dhe të harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian.
Miratimi i projektligjit është njëkohësisht pjesë e procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të BE-së në fushën e shërbimeve financiare dhe financave digjitale, në funksion të procesit të integrimit evropian të vendit.

