Shkup, 2 korrik, Zhurnal.mk – Kontroll i pamjaftueshëm i stokut, mangësi në zbatimin e prokurimeve publike, probleme me arkëtimin e kërkesave dhe numër i madh i kontrolleve urgjente janë pjesë e gjetjeve në Raportin Përfundimtar të Revizionit të Entit Shtetëror të Revizionit (ESHR) për funksionimin financiar dhe përputhshmërinë e Institucionit Publik Shëndetësor – Klinika Universitare për Kirurgji Torakale dhe Vaskulare për vitin 2024, raporton 4News, transmeton Zhurnal.
Sipas revizorëve, në Klinikë nuk ishte vendosur regjistrim i rregullt dhe i përditësuar i konsumit të barnave dhe materialeve mjekësore në evidencën kontabël dhe materiale. Gjithashtu, një pjesë e materialeve mjekësore ishin prokuruar edhe para nënshkrimit të kontratave, me qëllim që të mos ndërpritej kontinuiteti në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Në raport theksohet se brenda institucionit nuk është formuar farmaci spitalore, e cila sipas rregullave duhet të jetë e ngarkuar me menaxhimin e barnave dhe materialeve mjekësore.
Revizioni ka konstatuar edhe parregullsi në një pjesë të procedurave të prokurimeve publike, ku nuk ishte respektuar plotësisht rregullativa ligjore.
Për më tepër, një pjesë e kërkesave të Klinikës janë më të vjetra se tre vjet, gjë që vë në pikëpyetje mundësinë e arkëtimit të tyre. Janë konstatuar edhe dallime mes pjesëmarrjes së llogaritur dhe asaj realisht të arkëtuar për shërbimet shëndetësore të kryera.
Vëmendje e veçantë në raport i është kushtuar ngarkesës së madhe të Klinikës. Sipas revizorëve, madje 66 për qind e të gjitha kontrolleve të realizuara janë kryer me udhëzime urgjente ose udhëzime pa termin të caktuar, gjë që devijon dukshëm nga mënyra e parashikuar e funksionimit të sistemit “Termini im”.
“Struktura e tillë e udhëzimeve tregon për rritje të ngarkesës së Klinikës, e cila mund të ndikojë në efikasitetin e planifikimit dhe organizimit të procesit të punës, në përdorimin optimal të kapaciteteve të disponueshme dhe në qasjen e pacientëve ndaj shërbimeve shëndetësore”, thuhet në raport.
Për eliminimin e mangësive të konstatuara, Enti Shtetëror i Revizionit ka dorëzuar tetë rekomandime për Institucionin Publik Shëndetësor – Klinika Universitare për Kirurgji Torakale dhe Vaskulare, me qëllim përmirësimin e funksionimit financiar dhe organizimit të institucionit.

