Tiranë, 27 korrik, Zhurnal.mk – Pas kërkesës së PS për përjashtim nga punimet e Kuvendit për 60 ditë të Agron Shehajt, nesër Sekretariati i Etikës do të mblidhet për shqyrtim.
Në një kërkesë drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, PS kërkon që ndaj Shehajt të merret masa e përjashtimit nga pjesëmarrja në komisione dhe seanca plenare për 60 ditë.
Sipas shkresës, gjatë shqyrtimit të marrëveshjes së huas direkte mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak, deputetët janë informuar se dokumenti përmbante informacion të klasifikuar dhe mund të konsultohej vetëm në ambientet e përcaktuara nga Kuvendi, pas nënshkrimit të deklaratës së konfidencialitetit.
PS pretendon se Agron Shehaj, pasi është paraqitur në sallën ku mbahej dokumenti, ka kërkuar ta marrë kopjen fizike me vete, por është kundërshtuar nga stafi i Kuvendit.
Në kërkesë thuhet se deputeti “e ka marrë me forcë materialin dhe është larguar bashkë me të”, ndërsa një këshilltare e Kuvendit, e cila sipas dokumentit e ka ndjekur për ta rimarrë, është rrëzuar nga shkallët dhe ka pësuar dëmtime.
“Deputeti Agron Shehaj, me sjelljet e tij të përsëritura të dhunshme dhe agresive ka vënë në rrezik këshilltaren, e cila është gjendur e pambrojtur përballë kësaj sjelljeje të dhunshme dhe të papranueshme”, thuhet në kërkesën e depozituar.

