Trajneri i Manchester United, Ruben Amorim, raportohet se nuk është fans i një lojtari të ‘Djajve të Kuq’, pasi beson se ai nuk mund të përshtatet në sistemin e tij të lojës.
Që prej se e zëvendësoi Erik Ten Hagun si trajner i Unitedit në nëntor, Amorim nuk ka pasur frikë që të provojë gjëra të reja në përpjekje për ta përmbysur situatën e keqe në ‘Old Trafford’.
Lojtarë si Alejandro Garnacho, Antony dhe Marcus Rashford kanë mbetur jashtë planeve të tij, me këta dy të fundit që tashmë janë larguar nga klubi në formë huazimi.
Tani duket se një tjetër lojtar i United do të largohet në verë, pasi tekniku portugez nuk është i bindur se ai do të përshtatet në sistemin e tij.
Sipas gazetarit Peter Hall, trajneri i Unitedit nuk ka qenë i bindur plotësisht nga niveli i Mainoo që prej se u bë pjesë e klubit, andaj do të ishte i hapur për shitjen e tij.
Raporti shton se, teksa United do të preferonte ta mbante 19-vjeçarin në ‘Old Trafford’, ata nuk do të ngurronin ta shisnin atë për një ofertë prej 70 milionë eurosh.
Që prej ardhjes së Amorim në fund të vitit 2024, Mainoo ka hasur në vështirësi që të gjejë minuta rregullisht dhe këtu kanë ndikuar edhe lëndimet që ka pësuar.
Në total, reprezentuesi anglez ka bërë vetëm 16 paraqitje nën drejtimin e Amorim në të gjitha garat, teksa ndeshja e tij e fundit është fitorja ndaj Leicester Cityt me rezultat 2-1.