Shkup, 7 tetor argument.mk/ – Sot, Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, u takua me ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Turqisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Alper Aktash.
Në takim, ai i uroi ambasadorit mirëseardhje në Kuvend dhe sukses në ushtrimin e funksionit të tij të ri. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut dhe Turqia kultivojnë një miqësi dhe partneritet të fortë tradicional, kanë lidhje të rrënjosura historike dhe kulturore, si dhe bashkëpunim dinamik në të gjitha nivelet. Të dyja shtetet mbajnë komunikim intensiv në nivel të lartë, i cili kontribuon ndjeshëm në përparimin e marrëdhënieve të përgjithshme ndërmjet dy vendeve.
Kryetari Gashi i theksoi marrëdhëniet e mira dhe miqësore ndërmjet dy vendeve, të cilat reflektohen edhe në bashkëpunimin e frytshëm dhe të suksesshëm parlamentar, duke filluar nga niveli më i lartë, ndërmjet kryetarëve të parlamenteve, e më tej ndërmjet komisioneve, grupeve të miqësisë dhe bashkëpunimit. Republika e Turqisë është ndër partnerët më të rëndësishëm tregtarë dhe një nga vendet që investon vazhdimisht në ekonominë maqedonase në sektorë të ndryshëm, duke u shfaqur si një partner strategjik investues.
Ambasadori Aktash theksoi se do të angazhohet për rritjen e shkëmbimit tregtar ndërmjet dy shteteve, përparimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit dhe investimeve, si dhe realizimin e projekteve infrastrukturore.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se, përveç marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy shteteve, ekziston gjithmonë hapësirë për përparimin e bashkëpunimit me interes të ndërsjellë. Në veçanti, kjo i referohet bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e kulturës, arsimit, bujqësisë, shëndetësisë dhe turizmit.

