Në Bruksel sot zhvillohet takimi i parë i Komisionit të përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit.
Ngritja e këtij komisioni është bërë në bazë të një marrëveshjeje të arritur vitin e kaluar në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.
Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta.
Në takim, delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga Halil Cenaj, bëri të ditur kryetari i Komisionit qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, shkruan Evropa e Lirë.
Ndërkaq, para takimit Serbia nuk bëri të ditur se kush do të udhëheqë delegacionin e saj.
Sipas burimeve në BE, në këtë takim nuk pritet ndonjë veprim konkret, por do të jetë më shumë i karakterit simbolik dhe ceremonial, duke qenë se do të jetë takimi i parë i këtij komisioni. Po ashtu, fakti që Kosova është në periudhë të fushatës zgjedhore, ndikon që ky të jetë vetëm një takim simbolik.
Kryetari i Komisionit qeveritar të Kosovës për personat e zhdukur, Andin Hoti, shkroi në Facebook se në Bruksel do të përcaktohen plani i punës dhe takimet e radhës.
Ai u shpreh se në këtë drejtim, delegacioni i Kosovës do të prezantojë disa kërkesa kyçë, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, “me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar tek Vuçiq, dhe çështje tjera të rëndësishme në këtë fushë”.
“Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese Deklaratës për Persona të Zhdukur, e miratuar me 2 maj 2023”, tha ai.
Deklarata politike ishte arritur në maj të vitit 2023 mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Megjithatë, deri më tani nuk është bërë ndonjë veprim konkret për zbatimin e saj, teksa familjarët e më shumë se 1.600 persona të pagjetur – kryesisht shqiptarë – me ankth presin të dinë për fatin e më të dashurve të tyre.
Një nga ta është edhe Fitim Dubovci, i cili kërkon babanë e tij të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë më 1998-1999.
Fitimi nga Çikatova e Drenasit, përveç babait ka edhe pesë familjarë të tjerë të zhdukur.
“Sa e sa familjarë të personave të zhdukur tashmë kanë vdekur ‘me sy hapur’, sepse nuk e kanë ditur ku i kanë më të dashurit e tyre”, tha ai.
BE-ja ka thënë më herët se për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur duhet funksionalizimi i Komisionit të përbashkët.
Megjithatë, në të kaluarën palët kishin akuzuar njëra-tjetrën për mungesë të gatishmërisë për të dhënë informacione për të pagjeturit si dhe qasje në dokumente relevante dhe arkiva ushtarake të rëndësishme për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
Aty po ashtu palët pajtohen që të ofrojnë qasje të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që do të ndihmonin në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur në periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000.
“Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër – përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar – nën posedimin e institucioneve të të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst”, thuhet në Deklaratë.
Në këtë Deklaratë nuk përmenden arkivat ushtarake apo policore, që Kosova ka kërkuar që Serbia t’i hapë pasi thotë se në to janë edhe informacionet për të zhdukurit.
Kosova ka kryer gërmime në lokacione të ndryshme ku dyshohen për mbetje mortore të personave të vrarë gjatë luftës. Por, autoritetet shpesh kanë thënë se problemi qëndron në lokacionet në Serbi, ku dyshohet se janë varrosur viktimat e luftës në Kosovë.
Në rajon, nga konfliktet në Kroaci dhe Bosnja e Hercegovinë zbardhja e fatit të personave të zhdukur po ashtu është pjesë e punës së komisioneve të përbashkëta mes këtyre shteteve.

