Likovë, 23 janar – Kanë kaluar dekada, Maqedonia ka kaluar nga një sistem politik në tjetrin, janë ndërruar qeveri dhe askush deri më tani nuk e ka “çmontuar” këtë bombë ekologjike!
Kjo lëndë kimike është arsen, e konsideruar e rrezikshme për shëndetin. Gjendet në Llojan të Komunës së Likovës, pak metra larg shkollës fillore “Rilindja”.
“Në këtë vend jo vetëm që kundërmon erë por edhe ujin e bën të papijshëm”, raporton Fazile Halili, gazetare.
Për shkak se arseni e ka kontaminuar edhe ujin, drejtori i shkollës Idriz Sulejmani, na tregoi se Ministria e Arsimit u ka sugjeruar që të mos e përdorin sallën e sportit.
“Derisa uji nuk është i pijshëm salla nuk mund të përdoret për mbajtjen e orës së edukatës fizike.
-Çfarë lidhje ka salla me ujin?
-Aty kemi tualetet, ka banjo për pastrim. Nxënësit që mbajnë orën e edukatës fizike aty edhe djersiten, kanë nevojë për pirje të ujit, dhe nuk mund të përdoret ujë aty”, tha Idriz Sulejmani, drejtor i shkollës fillore “Rilindja”.
Dëmi nuk është vetëm uji i papijshëm! Edhe tokat pjellore janë dëmtuar, na tregoi arsimtari i gjeografisë në shkollën “Rilindja” Afrim Zimeri.
“Po ashtu duke e pasur parasysh që fushat pjellore gjenden në lindje të fshatrave kur janë temperaturat e larta, apo kur fryn erë, era e bartë pluhurin dhe e shtreson në tokat pjellore, kur dihet se këto toka pjellore mbillen me kultura të ndryshme bujqësore që i përdorin edhe për ushqim”, shtoi Afrim Zimeri, mësimdhënës i gjeografisë.
Shumë familje të Llojanit përdorin bunarë për t’u furnizuar me ujë, por jo të gjithë kanë mundësi të vendosin filtra, na tha banori Jeton Rahmani, andaj sipas tij, shumica janë të detyruar ta përdorin ujin e pafiltuar.
“90% e fshatit nëpër puse, puset që i kemi hapur ai ujë është shumë i dëmshëm, duhet të flasim në përgjithësi nuk duhet të flasim për 10% që kanë vendosur filtra, që kushton ajo në çdo 6 muaj.
Sa kushtojnë filtrat?
Çdo 6 muaj 7500 denarë që vijnë servisin ta bëjnë”, shtoi Jeton Rahmani, banor i Llojanit.
Kryetari i Likovës, Erkan Arifi, na tha se rrjeti i ujit të pijshëm në Llojan dhe Vaksincë ka përfunduar, por ende po pret dorëzimin nga Ministra e mjedisit dhe ajo e Transportit.
E sa i përket pastrimit të tërësishëm të kësaj zone helmuese, kërkesa e banorëve ka qenë e vazhdueshme.
“Fshatarët janë ankuar gjithmonë por nuk kanë premtuar asgjë ato, e tani duhet të bëjmë kërkesë që të na e largojnë atë deponi sepse ajo është helm”, pohoi Dilaver Jakupi, banor i Llojanit.
Nga Ministria e Mjedisit na thanë se miniera e dikurshme është identifikuar si zonë e kontaminuar në planin Nacional për menaxhimin e mbetjeve 2021-2031. Nga një studim i fizibilitetit i vitit 2007, sipas ministrisë, opsioni më i lirë është propozuar mbulimi i deponisë si zgjidhje afatshkurtër, gjë që sipas këtij studimi të para 18 viteve, do të kushtonte 3 milionë dollarë. Për shkak se studimi ka nevojë të rishikohet, nga ministria thonë se me gjasë do të duheshin më shumë mjete.
“Zgjidhja afatgjatë për sanimin e vendeve të kontaminuara, është sigurisht largimi i mbetjeve, depozitimi në një vendgrumbullim të mbetjeve të rrezikshme dhe përdorimi i mundshëm i metaleve të nevojshme. Megjithatë, në Maqedoninë e Veriut, aktualisht nuk ka deponi për mbetje të rrezikshme të këtij lloji. Formimi i tij kërkon një sërë studimesh, sepse nuk është e lehtë të përcaktohet vendi për një deponi të tillë”, pohoi Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Ministria e Mjedisit shton se ka investitorë të interesuar për shfrytëzimin e metaleve dhe realizimin e sanimit dhe se Ministria e Ekonomisë ka nisur procedurën për dhënien me koncesion. “Çdo veprim tjetër i përkohshëm nuk do të zgjidhte problemin e ndotjes” përfundojnë nga Mjedisi, duke premtua se në komunikim me institucionet tjera do të shqyrtojë opsionet për zgjidhje të përhershme.