Shkup, 16 prill – Sipas definicionit, vetingu nënkupton një kontroll institucional të bartësve të funksioneve publike nëse kanë përgjegjësinë, integritetin dhe besueshmërinë për të kryer funksionin.
Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është dorëzuar propozim ligj për veting para katër viteve e tepër, respektivisht më 31 janar 2020, me të cilin kërkohet veting i funksionarëve të zgjedhur dhe të emëruar në organet legjislative dhe ekzekutive, në gjyqësor, prokurori dhe polici. Gjithashtu, në propozimin e bërë nga BDI, ishte parashikuar një Agjenci që do të kontrollonte të gjithë bartësit e funksioneve publike.
Mirëpo, vetëm 16 ditë pad dorëzimit të propozimligjit, Kuvendi u shpërnda përpara zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën 12 prill 2020, kështu që propozimi nuk u bë kurrë ligj edhe pse prej atëherë kanë kaluar katër vite e tepër. “Ky propozim kaloi në lexim të parë dhe kaq. Pastaj erdhi një përbërje e re parlamentare. Nëse dikush e dëshiron një propozim të tillë – ligj, le të fillojë përsëri procedurën”, kanë thënë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, duke sqaruar shkaqet për vonesën e madhe të sjelljes së ligjit dhe duke e hedhur topin tek politikanët, shkruan Zhurnal.
Mirëpo ideja për veting mbetet aktuale para çdo procesi zgjedhor. Kjo po ndodh edhe para zgjedhjeve të 24 prillit dhe 9 majit kur pastrimi i politikës dhe gjyqësorit nga figura të korruptuara sërish është pjesë e platformave dhe premtimeve partiake. Madje vetingu këtyre ditëve vazhdon të jetë një ndër temat kryesore të fushatës zgjedhore presidenciale edhe pse ekspertët insistojnë se funksioni për të cilin garojnë, nuk ka kompetenca për të kryer veting. Kandidati për president nga radhët e “Frontit Europian”, Bujar Osmani, në kuadër të fushatës zgjedhore presidenciale, nga Dibra premtoi se vetingu për politikanët, prokurorët dhe gjykatësit do të jetë kusht për formimin e qeverisë së ardhshme.
“Nuk do të ketë qeveri pa marrëveshje për veting të plotë të gjithë bartësve të funksioneve publike. Secili që do të ketë pretendim të bëhet ministër, të bëhet drejtor, të bëhet gjykatës ose prokuror, do të duhet fillimisht të marrë certifikatën që do ta japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe NATO edhe atë në dy drejtime: A kanë lidhje me interesin rus dhe a janë të involvuar në korrupsion”, tha Bujar Osmani, kandidat për president nga “Fronti Europian”.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar kandidati për president i koalicionit “VLEN”, Arben Taravari. Sipas tij BDI-ja ka formuar 6-7 herë qeveri të ndryshme, por vetingun kurrë nuk e ka realizuar. Taravari ka pyetur nëse Bujar Osmani “e ka me gjithë mend” apo talle dhe nënçmon inteligjencën e qytetarëve. “Zotëri Bujar Osmani është 22 vjet në pushtet, kur them zotëri Bujar Osmani, nënkuptoj BDI-në. Ata kanë formuar 6-7 herë qeveri të ndryshme. Unë e pyes publikisht pse nuk e kanë bërë deri tash, kanë mundur që ta bëjnë për 20 vjet, ose për 7-8 vitet e fundit ta bëjnë vetingun. Unë e kam ftuar disa herë zotëri Bujar Osmanin, hajde të nënshkruajmë veting edhe për politikanët, edhe për gjykatësit edhe për prokurorët”, tha Arben Taravari, kandidat për president nga “VLEN”.
Vetingun paraprakisht e ka premtuar edhe kandidati për president nga radhët e LSDM-së, Stevo Pendarovski, i cili kërkoi të hetohet prejardhja e pronës së funksionarëve, shkruan Zhurnal. Pendarovski ka theksuar se është i nevojshëm veting në gjyqësi, sepse këtë e kanë bërë disa shtete në vitet e 90-ta.
“Vetingu është i nevojshëm, për fat të keq nuk e kemi bërë disa vite më përpara, edhe pse shumë shtete postkomuniste Çekia, Polonia, Sllovakia, kanë bërë disa lloje të këtij vetingu në vitet e hershme të 90-ta dhe i mënjanuan edhe spiunët dhe strukturat kriminele. Ekziston veting i cili do të jetë për gjykatësit dhe për prokurorët dhe atje, nënvizoi ai, do të jetë para së gjithash eventualisht në në mënyrë disproporcionale rritje të pronës derisa janë përzgjedhur gjykatës dhe prokurorë. “Ekzistojnë tre lloje të vetingut, ndërsa unë jam për të gjitha llojet e vetingut, veçanërisht për ata të cilët do të kontrollohen nëse prona në mënyrë disproporcionale është rritur pasi jenë në funksion dhe jo vetëm në fund pas katër ose pesë viteve për të kontrolluar”, ka thënë Pendarovski.
Sipas tij, problemi më i madh i gjyqësorit është se lëndët mbahen në sirtar. “Gjyqtarët i mbanin nëpër sirtare dhe lëndët u vjetërsuan. Për 7.5 vjet ata nuk mundën të bënin asgjë dhe ndoshta kërkuan edhe më shumë kohë për t’u dhënë kohë. Prandaj është i nevojshëm vetingu. Nëse dikush mban një send dhe nuk mund të marrë një vendim të shkallës së parë. Gjyqtari për 27 prillin, në një çështje komplekse në të cilën janë përfshirë shumë persona, për 1,5 vjet është marrë aktgjykimi i shkallës së parë, kështu që gjithçka ka qenë e mundur”, tha Pendarovski. Këtë proces e përkrah edhe kandidatja për presidente nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova, kanë thënë nga kjo parti, duke shtuar se angazhohen për “veting të vërtetë, e jo për farsë”, shkruan Zhurnal.
“Ne duam veting që do të nisë nga politikanët. Të dimë prejardhjen e pasurisë së të gjithë politikanëve aktualë dhe të dikurshëm, të dimë nëse kemi një themel të shëndoshë, pra nëse kemi njerëz që janë në detyrë për të ndihmuar popullin dhe shtetin, apo për të mbushur xhepat e tyre. Për sa i përket pjesës tjetër të politikanëve që në të kaluarën kanë mbajtur një post të lartë politik ose janë aktualisht në një pozicion të tillë, shpresoj që ata të pranojnë që procesi i vettingut të kryhet në mënyrë transparente dhe të provojë se cilët politikanë kanë punuar në përputhje me rregullat dhe ligjet dhe të cilët politikanë e kanë shfrytëzuar pozitën si burim për plotësimin e llogarisë familjare.
Përveç faktit që politikanët do të duhet t’i nënshtrohen vetingut, duhet të ballafaqohen me realitetin që nëse konstatohet se një politikan ka kryer diçka të kundërligjshme ose një krim të madh, ai të mbajë përgjegjësi ligjore dhe në të ardhmen nuk do të ketë të drejtë të kandidohet ose zgjedhet në poste të lartë”, kanë përsëritur në disa raste nga VMRO-DPMNE. Megjithatë, pa marë parasysh qëndrimet e fuqishme të partive politike pro vetingut, realiteti tregon se kjo ide ende nuk është jetësuar në Maqedoninë e Veriut edhe pse tashmë vite me radhë e premtojnë pothuajse të gjitha partitë, kurse ka përkrahje edhe nga faktori ndërkombëtar./Zhurnal