Një punonjës policie është arrestuar në Durrës, pasi kundrejt 10 mijë eurove lejoi të dilte një sasi nafte, nga një anije që ishte sekuestruar me urdhër prokurorie dhe ndodhej në port.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, vuri në pranga policin 21 vjeçar Armand Marvataj, oficer i Patrullës së Përgjithshme. Ai akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Ndërsa në kërkim janë shpallur dy persona të akuzuar për “Kontrabanda me mallra që paguhet akcizë me pezullim të plotë ose të pjesshëm nga detyrimet doganore”, “Vjedhje e kryer në bashkëpunim”, dhe “Korrupsion”.
Po ashtu, nga këqyrja e kamerave të sigurisë në Porto Romano ka rezultuar se sasia e naftës ishte zëvendësuar me ujë.
Si pjesë e këtij hetimi, në gjendje të lirë janë proceduar penalisht edhe 7 persona të tjerë, shtetas sirianë dhe egjiptianë, të dyshuar për kontrabandë mallrash dhe vjedhje të kryer në bashkëpunim.
Anija me flamurin e Tanzanisë u sekuestrua më 13 janar dhe kishte një ngarkesë prej 670 mijë litra naftë e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia.
