By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
Argument-MKArgument-MK
  • Balllina
  • Maqedoni
  • Shqipëri
  • Ekonomi
  • Bota
  • Analiza
  • Kronika
  • Showbizz
  • Sport
  • + Më tepër
Reading: “Zona e interesit” flet për rrezikun nga injorimi i mizorive – përfshirë ato në Gazë
Share
Notification Show More
Font ResizerAa
Font ResizerAa
Argument-MKArgument-MK
  • Editorial
  • Analiza
  • Rekomanduar
  • Balllina
  • Maqedoni
  • Shqipëri
  • Ekonomi
  • Bota
  • Analiza
  • Kronika
  • Showbizz
  • Sport
  • + Më tepër
Have an existing account? Sign In
Follow US
  • Advertise
© 2022 Foxiz News Network. Ruby Design Company. All Rights Reserved.
Argument-MK > Blog > Kulturë > “Zona e interesit” flet për rrezikun nga injorimi i mizorive – përfshirë ato në Gazë
Kulturë

“Zona e interesit” flet për rrezikun nga injorimi i mizorive – përfshirë ato në Gazë

admin
Last updated: 16/03/2024 13:06
By admin 11 Min Read
Share
SHARE

Nga: Naomi Klein / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Ka një traditë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar: një fjalim serioz politik shpon flluskën e magjepsjes dhe krenarisë. Pasojnë reagimet keqdashëse. Disa fjalimin e shpallin si shembull të artistëve që ndryshojnë normat; të tjerët si uzurpim egoist të një nate përndryshe festive. Pastaj të gjithë shkojnë në shtëpi.

Fillimisht kisha frikë se ky ballafaqim i pazakontë do ta nënvlerësonte reagimin e Glazerit: si mundet që realitetet pikëlluese dhe tronditëse, për të cilat ai bëri me dije, të bashkëjetojnë me këtë lloj të energjisë kaliforniane që ngjanë me mbrëmjet e maturës? Më pas u kujtova: në mënyrën se si bëjnë mbrojtësit e zjarrtë të “të drejtës së Izraelit për t’u mbrojtur”, marifeti që mbylli fjalimin gjithashtu ndihmonte të shprehte mendimin e veta.

“Gjenocidi bëhet mjedis për jetën e tyre”: kështu e ka përshkruar Glazeri atmosferën që u përpoq të kapte në filmin e vet, në të cilin personazhet e tij ndjekin dramat e veta të përditshme – fëmijët pa gjumë, një nënë që vështirë kënaqet, tradhti të rastësishme bashkëshortore – në hijen e pirgjeve të tymit që nxjerrin mbetjet njerëzore. Nuk është se këta njerëz nuk e dinë se një makinë e vrasjeve në shkallë industriale gjendet pak përtej murit të kopshtit të tyre. Ata thjesht kanë mësuar të çojnë jetë të mirë me mjedisin e gjenocidit.

Është kjo që ndihet si e tashme, si pjesa më e madhe e këtij momenti të tmerrshëm, përkitazi me filmin tronditës të Glazerit. Më shumë se pesë muaj pas masakrës së përditshme në Gazë, dhe me Izraelin që injoron paturpësisht urdhrat e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe me qeveritë perëndimore që qortojnë lehtë Izraelin teksa i dërgojnë më shumë armë, gjenocidi po bëhet edhe një herë mjedis – të paktën për ata nga ne që kanë fat të jetojnë në anët e sigurta të mureve të shumta që gdhendin botën tonë. Përballemi me rrezikun që ajo të rëndohet, duke u bërë kolona zanore e jetës moderne. Madje as ngjarja kryesore.

Glazeri shpeshherë theksoi se subjekti i filmit të tij nuk është Holokausti me tmerret e njohura dhe veçantitë historike, por diçka më e qëndrueshme dhe më e përhapur: aftësia njerëzore për të jetuar me holokaustet dhe mizoritë e tjera, për të bërë paqe me to, për të nxjerrë përfitime nga ato.

Kur filmi u dha premierë gjatë majit të kaluar, para sulmit të Hamasit të 7 tetorit dhe para sulmit të pafund të Izraelit në Gazë, ky ishte një eksperiment mendimi që mund të soditej me njëfarë distance intelektuale. Anëtarët e audiencës në festivalin e filmit në Kanë, të cilët i dhanë Zonës së interesit ovacione të zjarrta për gjashtë minuta në këmbë, ka të ngjarë se ndiheshin të sigurt teksa luanin me sfidën e Glazerit. Ndoshta disa i hodhën sytë nga Mesdheu i kaltër dhe menduan se si ishin ndier rehat, madje edhe të painteresuar, për lajmet e varkave të mbushura me njerëz të dëshpëruar që lihen të mbyten poshtë bregut. Ose, ndoshta menduan për aeroplanët privatë me të cilët shkuan në Francë dhe mënyrën se si emetimet e gazrave të atyre aeroplanëve janë ngatërruar me zhdukjen e burimeve ushqimore për njerëzit e varfër larg, ose zhdukjen e specieve, ose zhdukjen e mundshme të kombeve të tëra.

Glazeri donte që filmi i tij të provokonte këto lloje të mendimeve të pakëndshme. Ai ka thënë se ka parë “botën që po errësohej rreth nesh dhe e kisha një ndjenjë se duhej të bëja diçka për ngjashmëritë tona me autorët dhe jo me viktimat”. Donte të na kujtonte se asgjësimi nuk është kurrë aq larg sa mendojmë.

Por, në kohën kur Zona doli në kinema në dhjetor, ishte më e prekshme sfida delikate e Glazerit për audiencën, për ta menduar Hössin si veten e tyre të brendshme. Shumica e artistëve në mënyrë të dëshpëruar përpiqen të futen në periudhat historike, por Zona, shfaqja në kinema e së cilës ishte e heshtur nëse kemi parasysh reagimet e mëparshme, mund të ketë vuajtur nga diçka e rrallë në historinë e kinemasë: tepricën e mbivlerës, mbifurnizimin me informata nga çasti në çast.

Një nga skenat më të paharrueshme të filmit është kur një paketë e mbushur me veshje dhe të brendshme të vjedhura nga të burgosurat e kampit, mbërrin në shtëpinë e Hössit. Gruaja e komandantit, Hedwiga (që në mënyrë shumë bindëse luhet nga Sandra Hüller), urdhëron se të gjithë, përfshirë shërbëtorët, mund të zgjedhin nga një artikull. Për veten e mban një pallto leshi, madje e provon edhe buzëkuqin që gjen në xhep.

Është kaq rrëqethës familjarizimi i ndërthurjeve me të vdekurit. Dhe, nuk e kam idenë se si dikush mund ta shikojë atë skenë dhe të mos mendojë për ushtarët izraelitë të cilët e kanë filmuar veten duke kontrolluar nëpër të brendshmet e palestinezeve, shtëpitë e të cilave i pushtojnë në Gazë, ose duke u mburrur me vjedhjen e këpucëve dhe bizhuterive për të fejuarat dhe të dashurat e tyre, ose duke bërë selfi në grup – me rrënojat e Gazës si sfond. (Një foto e tillë u bë virale pasi shkrimtari Benjamin Kunkel shtoi mbishkrimin “Zona e Pinterestit”.)

Ka kaq shumë jehona të tilla saqë, sot, kryevepra e Glazerit ngjan më shumë si dokumentar sesa metaforë. Zona xhirohet në stilin e një spektakli të realitetit [reality show], me kamera të fshehta në të gjithë shtëpinë dhe kopshtin (Glazeri e ka cilësuar si “Vëllai i Madh në shtëpinë naziste”), dhe dukej sikur filmi parashikonte gjenocidin e parë të transmetuar drejtpërdrejt – në versionin që filmuar nga vetë autorët.

Zona ofron një portret ekstrem të një familjeje, jeta e qetë dhe e bukur e së cilës rrjedh drejtpërdrejt nga makineria që gllabëron jetën njerëzore në fqinjësi. Ky nuk është portreti i njerëzve në mohim: ata e dinë se çfarë po ndodh në anën tjetër të murit, madje edhe fëmijët luajnë me dhëmbët e njeriut. Kampi i përqendrimit dhe shtëpia e familjes nuk janë entitete të veçanta; janë të bashkuara. Muri i kopshtit të familjes – duke krijuar një hapësirë të mbyllur për fëmijët për të luajtur dhe kënaqur në pishinë – është i njëjti mur që në anën tjetër mbyll kampin.

Të gjithë ata që njoh e që e kanë parë filmin mund të mendojnë paksa për Gazën. Të thuash kështu kjo nuk do të thotë të pretendosh ekuacion një me një ose krahasimin me Aushvicin. Nuk ka dy gjenocide identike: Gaza nuk është fabrikë e projektuar qëllimisht për vrasje masive, as nuk jemi afër shkallës së numrit të vdekjeve naziste. Por, e gjithë arsyeja se pse u ngrit institucioni i së drejtës ndërkombëtare humanitare të pasluftës, ishte që ne t’i kemi mjetet për të identifikuar kolektivisht modelet – përpara se historia të përsëritej. Dhe, disa nga modelet – muri, getoja, vrasja masive, qëllimi eliminues i deklaruar në mënyrë të përsëritur, uria masive, plaçkitja, çnjerëzimi i hareshëm dhe poshtërimi i qëllimshëm – po përsëriten.

Po kështu janë edhe mënyrat sesi gjenocidi bëhet mjedis, mënyra se si ne pak më larg mureve mund të bllokojmë imazhet, të heshtim britmat dhe thjesht … të vazhdojmë jetën tutje. Kjo është arsyeja se pse Akademia e Filmit e përforcoi konceptin e Glazerit kur menjëherë kaloi te “Barbenhajmeri” – banalizimi i masakrës masive – pa e lodhur mendjen. Mizoria sërish po bëhet mjedis. (Dikush mund të shohë gjithë spektaklin e ndarjes së çmimeve Oscar si një lloj i zgjatjes së transmetuar drejtpërdrejt të Zonës së interesit, si një lloj i mohimit.)

Çfarë të bëjmë për të ndërprerë vrullin e banalizimit dhe normalizimit? Kjo është pyetja me të cilën shumë prej nesh po merren tani. Studentët më pyesin. Unë i pyes miqtë dhe kolegët. Shumëkush ofron përgjigjet e veta përmes reagimeve të rrepta, mosbindjes civile, votave “të paangazhuara”, aksidenteve, autokolonave të ndihmave për në Gazë, mbledhje fondesh për refugjatët, me vepra të artit radikal. Por, nuk mjafton.

Dhe, teksa gjenocidi zbehet më tej në sfondin e kulturës sonë, disa njerëz dëshpërohen për cilëndo nga këto përpjekje. Duke parë ceremoninë, të dielën, ku Glazeri ishte i vetëm në mesin e paradës së folësve të pasur dhe të fuqishëm në podium që nuk përmendnin Gazën, m’u kujtua se kishin kaluar saktësisht dy javë qëkur Aaron Bushnelli, anëtar 25-vjeçar i forcave ajrore të ShBA-së, ia fut flakën vetes jashtë Ambasadës izraelite në Uashington.

Nuk dua që dikush tjetër të përdor atë taktikë të tmerrshme proteste; mjaft ka vdekje. Por, duhet të kalojmë pak kohë duke reflektuar për deklaratën që Bushnelli na dha, fjalët që unë i kam parë si kod bashkëkohor për filmin e Glazerit:

“Shumë prej nesh pëlqejnë të pyesin veten: ‘Çfarë do të bëja po të isha gjallë gjatë skllavërisë? Apo gjatë Jim Crowit në jug? Apo gjatë aparteidit? Çfarë do të bëja nëse vendi im do të kryente gjenocid?’ Përgjigjja është, ti atë po e bën. Në këtë çast”. 

You Might Also Like

Kinematografia shqiptare në zi! Ndahet nga jeta aktori Ilir Shkurti, para tre muajsh festoi 68 vjetorin

Rreth 7 mijë artistë pritet të përfitojnë nga buxheti në vlerë prej 25 milionë euro

Art në rrugët e Ankarasë: Gurët e thyer të kalldrëmit transformohen në vepra

OH, FIKENI ATË DRITË!

Tetovarja nderohet me çmimin “Restaurant Guru Award 2026” në Belgjik

Share This Article
Facebook Twitter Email Print
Previous Article Meny e iftarit: Gogla mishi në salcë domatesh
Next Article Edhe në ditën e dytë të zgjedhjeve në Rusi – qytetarët po djegin qendrat e votimit dhe fletvotimet

Stay Connected

FacebookLike
TwitterFollow
YoutubeSubscribe
TelegramFollow
- Advertisement -
Ad imageAd image

Latest News

Merz: Nuk dua përçarje të NATO-s
Maqedoni TOP LAJM
Ministri Salla: Legjislacioni shqiptar për sigurinë ushqimore është i përafruar me rregulloret e BE-së
Shqipëri
Ballazhi: Vonohemi me masat për celularët, bota po vepron më shpejt
Maqedoni TOP LAJM
Vendi ka rezerva të mjaftueshme të naftës, çmimet ndiqen çdo ditë në bursën botërore
Ekonomi

Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit “Argument”.

Quick Link

  • Editorial
  • Analiza
  • Rekomanduar

Sign Up for Our Newsletter

Subscribe to our newsletter to get our newest articles instantly!

© 2026. ANET.COM.MK - All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Lost your password?