Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se janë dhënë 6 mijë leje legalizimi për blerjen e votave në kundërshtim me ligjin zgjedhor.
Në një konferencë për shtyp, Berisha tha se, “në Strasburg, raporti i delegacionit të Këshillit të Evropës që vëzhgoi zgjedhjet, ndërhyrjet që u bënë, ishin një damkosje e re e madhe e farsës elektorale të 11 majit”.
“Rekomandimet e këtij raporti, siç theksova dje, janë asgjësuese. Në këto rekomandime janë ndarja e partisë nga shteti. Pra konfirmohet se në Shqipëri funksionon partia-shtet dhe shteti elektoral”, tha më tej Berisha.
Berisha u shpreh se në raport rekomandohet reformimi i SPAK-ut, duke konfirmuar sipas tij tezën se SPAK, “është bashkautor në krimin e madh elektoral ndaj shqiptarëve”.
Berisha tha se, “zhvlerësohet në tërësi, apo thotë të analizohet, vota e diasporës, e cila siç e patë ju, është shtetëzuar”.
Natyrisht, shtoi kreu i PD, “ndërhyrjet brutale në procesin e farsës elektorale ishin të shumëllojta, por edhe një herë, në çdo vend dhe në çdo shtet, një proces zgjedhor asgjësohet dhe shndërrohet në farsë elektorale kur partia bëhet shtet dhe shteti parti”.
Ky, sipas tij, “është kushti i të gjitha kushteve për të asgjësuar procesin e drejtë zgjedhor, për ta shndërruar atë në farsë. Ky është kushti më themelor”.
Berisha gjithashtu paraqiti një rast që sipas tij tregon “abuzimin masiv me pushtetin ekzekutiv të agjencive të shtetit elektoral për të blerë vota në shkelje flagrante me ligjet e vendit dhe parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve të drejta”.
“Në harkun kohor të ndaluar me ligj, në qarqet e vendit u realizuan, në Berat 419 legalizime, në Dibër 123 legalizime, në Durrës 928 legalizime, në Fier 801 legalizime, Gjirokastra 98, Kukësi 124 legalizime, Tirana 1931 legalizime, Vlora 590 dhe Lezha 116. Në total janë dhënë 6 mijë legalizime. Imagjinoni këto, minimumi 3 gjer në 5 vota, se sa u blenë vetëm me lejet e legalizimit”, tha ai.
Po ashtu, Berisha u shpreh se do të paraqesë të dhëna se si janë blerë votat, sipas tij, me certifikata pronësie dhe lejet e ndërtimit.
Sipas tij, “ky është një shembull i përdorimit të shtetit partiak, shtetit elektoral për të blerë vota nëpërmjet ushtrimit të paligjshëm të fuqisë ekzekutive”.
“Këto janë vetëm njëri aspekt, aspekte të tjera do paraqiten në ditët e ardhshme, të cilat kanë të bëjnë me certifikatat e pronësisë, kanë të bëjnë me lejet e ndërtimit, të cilat janë të pafundme. Është bërë një vërshim i madh dhe një mori e pafundme lejesh ndërtimi, meremetimesh, ndërtimesh në fshat, por edhe në qytete, të cilat do paraqiten në ditët që do vijnë”, tha Berisha.

