Tiranë, 8 tetor argument.mk/ – Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kundërshtuar reformën e re territoriale të propozuar nga qeveria, duke e lidhur atë me historinë dhe identitetin e qyteteve shqiptare.
Nga foltorja e Kuvendit, Blushi akuzoi kryeministrin Edi Rama se përmes ndryshimeve kërkon të zhdukë Libohovën nga harta, ndërsa e shoqëroi fjalën e tij me akuza të ashpra ndaj qeverisë.
“Avni Rustemi e përmblidhte veprën e zezë të Esat Pashës me tre fjalë, përçarje, shitje, tradhti. Me këto tre fjalë përmblidhet edhe vepra e zezë e Edi Ramës. Esat Pasha i gjallë ka vendosur të hakmerret për Esat Pashën e vdekur, duke e vijuar programin e shkombëtarizimit, të shpopullimit dhe të plaçkitjes së Shqipërisë, duke e nisur pikërisht nga vendlindja e Avni Rustemit, që është Libohova. Edi Rama gjithashtu është kryeministri më i mirë që ka pasur Serbia pas Nikola Pashiqit. Por krahasuar për nga dëmet që po u bën shqiptarëve, ky kancer i kombit shqiptar është më i zi se Pashiqi. Sot është një ditë e zezë për këtë Kuvend, për Shqipërinë. Sepse ky Kuvend, pa asnjë mandat popullor, ka vendosur të bëjë këto ndryshime. Pas çdo vije në hartë që Rama kërkon të zhdukë, ha histori. Nuk mund të shuhet Libohova, Avni Rustemi do të jetojë”, u shpreh Blushi.

