Svilajnac/Serbi, 22 korrik – Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lulzim Halili, është arrestuar të martën në qytetin Svilajnac të Serbisë, ka raportuar mediumi serb “Novosti”.
Sipas raportimeve, 59-vjeçarit nga Peja i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nga Zyra e Prokurorit për Krime të Luftës në Serbi, nën dyshimet për “krime kundër njerëzimit dhe krime lufte” të kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Ai u arrestua për shkak të dyshimeve se ka kryer krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në territorin e Kosovës”, thuhet në raportimin e mediave serbe.
Ndërkohë, një ditë më parë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një konference për media kishte bërë thirrje që qytetarët e Kosovës, veçanërisht mërgimtarët, të shmangin kalimin përmes territorit të Serbisë për shkak të rreziqeve të sigurisë.
UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.
Gjatë luftës në Kosovë më 1998/99 janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.
Rreth 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, nuk janë gjetur ende.
Ndër vite, autoritetet e drejtësisë në Kosovë kanë akuzuar ose dënuar disa persona për krime lufte.
Gjatë konferencës, Kurti tha se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë.