Shkup, 28 gusht – Në skenën politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut ku shpesh dominon retorika e pafund dhe premtimet që zhduken pas zgjedhjeve ka nisur të dallohet një kontrast i qartë mes dy figurave politike që po garojnë për Çairin, Izet Mexhiti dhe Bujar Osmani. Në thelb kjo përballje nuk është thjesht rivalitet personal por pasqyron dy qasje krejt të kundërta ndaj politikës dhe rolit të saj në shoqëri. Derisa Mexhiti ofron plan konkret, projekte miliona euro për Çairin, kundër kandidati i tij Osmani sillet vërdall Çarshisë duart në xhepa sikurse një i humbur në kosmos, shkruan Zhurnal.
Një projekt që flet vetë i propozuar nga Mexhiti –
Zëvëndëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, ka njoftuar për një projekt të madh investues prej rreth 1 milion eurosh në lagjen e vjetër të Shkupit, përkatësisht në zonën përreth Saat Kullës në Çair. Ky projekt përfshin ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit, si dhe të kanalizimeve atmosferike dhe fekale, që synojnë zgjidhjen përfundimtare të problemeve të kahershme të infrastrukturës në këtë pjesë të qytetit.
“Këto janë vepra konkrete që ndihen e shihen çdo ditë, jo vetëm premtime apo foto”, theksoi Mexhiti në postimin e tij. Investimi do të shtrihet në nëntë rrugë: rruga 157, 397, 2, 1, 178, 156, 374, 150 dhe 177, duke përfshirë mbi 2000 banorë, të cilëve do t’u ofrohet një jetë më e dinjitetshme.
Izet Mexhiti theksoi se Qeveria e kaluar e kishte harruar këtë pjesë të qytetit, ndërsa ekipi i tij po rikthen vëmendjen aty ku ka pasur mungesë investimesh për vite të tëra. “Jam në terren çdo ditë, e dëgjoj zërin tuaj dhe punoj për projekte që sjellin përmirësim real”, përfundon ai. “Çairi e meriton: dinjitet dhe zhvillim. Më shumë punë, më pak zhurmë!”, është mesazhi i tij.
Mexhiti, me këtë projekt e vendos veten në rolin e një politikani që ofron zgjidhje të prekshme, duke i dhënë qytetarëve diçka që ata mund ta shohin ta prekin dhe ta përdorin. Ky lloj ndërtimi është një gjuhë e heshtur por e fortë ajo flet për seriozitet, përkushtim dhe aftësinë për të kaluar nga fjala te vepra.
Përrallat e Osmanit si strategji politike –
Në të kundërt, Bujar Osmani shihet shpesh si shembull i politikës së “përrallës”. Retorika e tij, shpesh e mbushur me fjali të mëdha e premtime të padukshme rrallë shoqërohet me projekte konkrete që lënë pas gjurmë reale. Kjo qasje ka pasur efekt për një kohë sidomos tek ata që duan të dëgjojnë optimizëm e vizione të mëdha por ka edhe një efekt anësor të rrezikshëm krijon lodhje, humbje besimi dhe cinizëm ndaj politikës.
Përrallat politike nuk janë thjesht të padobishme ato mund të jenë edhe të dëmshme. Sepse sa më shumë të mbizotërojë retorika e paqëndrueshme aq më pak hapësirë mbetet për projekte të matshme, për llogaridhënie konkrete dhe për politika që ndryshojnë përditshmërinë e qytetarëve.
Krahasimi mes Mexhitit dhe Osmanit është në fakt një reflektim i gjendjes së përgjithshme të politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut ajo endet mes nevojës për të krijuar projekte reale dhe përpjekjes për të mbijetuar përmes fjalëve të bukura.
Modeli i Mexhitit është modeli i qartë diçka që punohet, qëndron dhe shihet. Është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga banorët e lagjes ky investim për faktin se ka qenë nevojë e kamotshme, prandaj edhe ka qenë ndër prioritetet e Mexhitit. Derisa modeli i Osmanit është modeli i fjalës fleksibël, i shpejtë, i lehtë për t’u përshtatur sipas opinionit, por i paqëndrueshëm dhe i padukshëm në terren. Në fund, mbetet boshllëk një premtim i harruar.
Debati i sotëm mes Mexhitit dhe Osmanit shkon përtej dy individëve. Ai ngre pyetjen thelbësore për politikën shqiptare a duam liderë që mbushin fjalimet me rrëfime dhe retorikë, apo liderë që vendosin gurë mbi gurë, duke ndërtuar diçka të matshme?
Kujtojmë që, ky projekt i Mexhitit është dëshmi se një politikan mund të mbetet në kujtesë për diçka konkrete. “Përrallat” e Osmanit, nga ana tjetër e rrezikojnë ta lënë politikën shqiptare pa trashëgimi të prekshme duke e kthyer atë në një teatër të pafund fjalësh. Dhe qytetarët shqiptarë kudo e sidomos në Çair janë të lodhur nga pritjet kanë gjithnjë e më pak durim për politikë që nuk prodhon vepra. /Zhurnal.mk

