Shkup, 6 prill, argument.mk/ – Studenët shqiptarë e tre universiteteve të Maqedonisë së Veriut marshuan sot në rrugët e kryeqytetit të vendit për të kërkuar respektimin e gjuhës shqipe dhe kalimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare.
Ata në të njëjtën kohë kërkuan edhe dorëheqjen e ministrit maqedonas të drejtësisë nga partia ZNAM, Igor Filkov, i cili nuk po i lejon studentët shqiptarë të juridikut që të hyjnë në provim në gjuhën shqipe.
“Filkov dorëheqje…”, thirrën fuqishëm disa herë sot studenët shqiptarë para ndërtesës së ministrisë së Filkovit në protestën afro 60 minutëshe sot në Shkup.
“Filkov dorëheqje… gjuha shqipe është gjuhë zyrtare”, vazhduan ata në protestën para ministrisë pas ecjesë nga ura e gurit.
“Filkov, ligji flet qartë, ligji flet shqip, gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe duhet ta respektoni. Edhe një herë të themi mos të takohemi prapë këtu, respektoje ligjin, bëje provimin në shqip,” tha studenti Mevlan Ademi, njëri nga udhëheqësit e protestës së sotme paqësore.
“Shpresojmë që ministri të reflektoj sepse çdo ditë na ka këtu para ministrisë së drejtësisë,” tha një student tjetër.
Protesta e studentëve dje bëri që Kryeminstri të “garantojë” se qeveria do të gjej një zgjidhje për kërkesën e studentëve.
Mirëpo zgjidhja ende mbetet e panjohur.
Në tavolinë ka dy opcione.
Qëndrimi i deritashëm i Filkovit, e të cilit iu pat bashkëngjitur edhe Hristijan Mickoski, është se u dashka një ligji i ri për jurisprudencën.
Por me këtë opcion nuk pajtohen studentët protestues dhe kërkesa e tyre sot ishte që ata të hyjnë në provim me ligjin e tashëm të jurisprudencës bazuar në ligjin për përdorimin e gjuhëve.

