Prishtinë, 01 qershor, Zhurnal.mk – Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), në kuadër të Javës Olimpike 2026, ka organizuar festimin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve – 1 Qershorit, me aktivitete sportive, kulturore dhe artistike për fëmijët në Prishtinë dhe komuna të tjera të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se aktivitetet do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, ndërsa më 4 qershor në kryeqytet do të organizohet edhe një garë vrapimi me mbi 1 mijë fëmijë nga e gjithë Kosova.
“Kemi aktivitete, kemi organizuar aktivitete të ndryshme të sportit, të artit, të kulturës, e sot i falënderohem po ashtu edhe presidentit Ismet Krasniqit që na u ka bashkangjit, sepse është edhe java e olimpiadës, Java Olimpike 2026 e cila po organizohet prej sot. Një javë ditë kemi me pas aktivitete të ndryshme sportive, po i shihni në pjesë të ndryshme të shesheve të kryeqytetit, janë të stërmbushura me fëmijë, me aktivitete sportive, me aktivitete të artit edhe të kulturës, edhe kjo do të vazhdojë sot gjatë gjithë ditës. Ndërsa me 4 qershor kemi me pas edhe më shumë se 1 mijë fëmijë prej shkollave të ndryshme prej krejt Kosovës që do të na bashkangjiten këtu në një garë të vrapimit. Duke i falënderuar po them edhe Komitetin Olimpik të Kosovës, po ashtu edhe kryetarin e Federatës së Atletikës që sot janë bashkë me neve edhe po e festojmë këtë ditë të mrekullueshme të fëmijëve edhe ditën e javës së olimpiadës 2026”, tha ai.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, tha se Java Olimpike po organizohet në 26 komuna të Kosovës dhe ka për synim aktivizimin e fëmijëve në sport.
“Atëherë faleminderit shumë! Është një ditë e veçantë sepse java olimpike po shihet sa e rëndësishme është për lëvizjen olimpike. Unë si president i Komitetit Olimpik ndjehem krenar edhe sot më ka mbush zemra me mall që po i shoh gjithë këtë atmosferë të mirë nga fëmijët e qytetit të Prishtinës edhe nga qytetet tjera. Siç e kam cek edhe më herët, ky aktivitet po mbahet nëpër gjithë Kosovën, në 26 komuna të Kosovës, edhe e gjitha java do të jetë me aktivitete sportive nga fëmijët tanë. Qëllimi pra i yni është që sa më shumë t’i aktivizojmë fëmijët tanë të merren me sport, të largohen nga televizionet, nga telefonat dhe të jenë sa më të shëndetshëm. Ne do të jemi të fokusuar që sa më shumë t’i aktivizojmë fëmijët tanë të merren me sport. Kjo është një prej aktiviteteve që po jep rezultat shumë të mirë, po i shihni edhe fytyrat e fëmijëve sa të lumtur janë. Ne do të vazhdojmë si Komitet Olimpik të promovojmë lëvizjen olimpike sa më shumë që mundemi, që sa më shumë të jemi aktiv. Sepse një shtet, një popull që është aktiv me sport është një popull i shëndetshëm dhe mbi të gjitha shëndeti është primar dhe besoj që ne do ta bëjmë punën tonë si Komitet Olimpik, si lëvizje olimpike”, tha ai.
I pyetur lidhur me diskutimet që hapja e Lojërave Mesdhetare të mbahet në Stadiumin e Mitrovicës, Rama tha se Prishtina është nikoqire e lojërave dhe ceremonitë kryesore do të mbahen në kryeqytet.
“Prishtina është nikoqir e Lojërave Mesdhetare. Lojërat Mesdhetare hapja duhet me qenë në kryeqytet sepse kryeqyteti është nikoqir, kështu që çdo gjë do të ndodhë pra më shumë se 60% të gjitha sporteve do të luan pjesë e lojërave në kryeqytet. Pra kryeqyteti është nikoqir së bashku me Komitetin Olimpik, edhe të analizat e profesionistëve të cilët edhe merren me këtë çështje, atë e kanë propozuar. Pra nuk duhet t’i politizojmë këto gjëra. Unë kam thirr qysh thashë prej vitit 2023 që të shkojmë përtej politikës, të bëhemi bashkë, pra niveli lokal, niveli qendror, t’i bëjmë lojërat më të mira të mundshme ndonjëherë, Lojërat Mesdhetare, sepse e kemi vetëm një mundësi, e këtë e kemi në vitin 2030. Pra t’i tejkalojmë këto egot e përçarjet politike, të bëhemi bashkë për të jemi nikoqir më i mirë deri tash. Kështu që, kështu që gjithsesi që do t’i kemi në Prishtinë”, tha ai.
Ndërsa presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, tha se vendimet për Lojërat Mesdhetare merren nga Komiteti Organizativ dhe më pas dërgohen për miratim në Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.
“Faleminderit, çka desha me shtu lidhur me këtë pyetje, sepse çdo vendim që merret për Lojërat Mesdhetare është nga Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare. Kështu që të gjitha ato mund me qenë propozime të cilat kur janë të mira ne si komitet organizativ mund t’i marrim, mirëpo vendos komiteti organizativ. Ne vendosëm edhe mandej i dërgojmë në Komitetin e Lojërave Mesdhetare në ICMG, dhe ata e japin vendimin e fundit. Kështu që çdo vendim pra merret në OCMG”, tha ai.

