Prishtinë, 20 korrik, Zhurnal.mk – Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka prezantuar prioritetet e mandatit të tij, duke premtuar reforma që synojnë forcimin e sistemit prokurorial dhe rritjen e besimit të qytetarëve në drejtësi.
Në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës të hënën, Gashi tha se puna e prokurorëve duhet të matet me rezultate konkrete, e jo me deklarata publike.
Sipas tij, profesionalizmi, integriteti dhe performanca do të jenë bazë për ndërtimin e një sistemi më efikas dhe më të besueshëm. Ai kërkoi angazhim më të madh në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit, veçanërisht atij të nivelit të lartë, si dhe në luftimin e krimit të organizuar dhe formave të tjera të kriminalitetit.
“Prokurori duhet të flasë vetëm përmes punës. Besueshmëria në institucionin tonë nuk ndërtohet përmes deklaratave apo retorikës, por me profesionalizëm, integritet dhe rezultate konkrete. Mënyra jonë e komunikimit do të jetë puna profesionale dhe performanca. Pikërisht mbi bazën e tyre do të gjykohemi dhe vetëm përmes rezultateve konkrete do të forcojmë autoritetin e institucionit dhe besimin e qytetarëve ndaj nesh. Kjo nënkupton se gjatë punës sonë duhet të zhvillojmë hetime më profesionale dhe efikase dhe të kemi ndjekje penale të suksesshme ndaj korrupsionit, me theks të veçantë te korrupsioni i nivelit të lartë, krimi i organizuar dhe çdo formë tjetër e kriminalitetit”, tha ai.
Pak ditë pasi u dekretua për kryeprokuror, Gashi u zotua se do të zbatojë programin dhe objektivat që ka prezantuar gjatë kandidimit për postin e kryeprokurorit, ndërsa u premtoi prokurorëve mbështetje në ushtrimin e detyrës së tyre me profesionalizëm, paanshmëri dhe guxim. Ai tha se zyra e tij do të jetë e hapur për bashkëpunim dhe koordinim institucional, me qëllim të tejkalimit të sfidave me të cilat përballen prokurorët.
“Si kryeprokuror i Shtetit do të angazhohem maksimalisht që vizionin dhe objektivat të cilat i kam paraqitur në koncept-dokument në KPK, kur kam aplikuar për pozitën e kryeprokurorit të Shtetit, t’i zbatoj në konsekuencë dhe në përputhje të plotë me ligjin. Sot, nga këtu, do t’i drejtohem secilit prokuror të Republikës me një mesazh të qartë. Si kryeprokuror i Shtetit do të jem i përkushtuar për të mbështetur secilin nga ju që e ushtroni detyrën me profesionalizëm, integritet, paanshmëri dhe guxim. Zyra ime do të jetë e hapur për komunikim profesional, bashkëpunim konstruktiv dhe koordinim institucional, me qëllim të adresimit dhe tejkalimit të sfidave profesionale me të cilat përballeni me ushtrimin e funksionit tuaj”, shtoi Gashi.
Duke folur për pavarësinë e sistemit prokurorial, Gashi theksoi se çdo vendim duhet të bazohet në Kushtetutë, ligj dhe prova të siguruara në mënyrë të ligjshme. Ai nënvizoi se pavarësia nuk duhet të shërbejë si mburojë për papërgjegjësi, ndërsa llogaridhënia, sipas tij, është kusht për ruajtjen e standardeve të larta profesionale. Gashi shtoi se lufta kundër abuzimit me detyrën do të jetë e pakompromis dhe se askush nuk do të jetë mbi ligjin.
“Njëkohësisht dua të theksoj se çdo akt dhe vendim i juaji duhet të mbështetet në Kushtetutë, në ligj dhe në prova të siguruara në mënyrë të ligjshme. Vetëm kështu i shërbejmë shtetit. Askush nuk duhet të ndikohet nga presioni politik, ekonomik, mediatik apo nga çfarëdo interesi i jashtëm. Pavarësia funksionale që e kemi si prokuror është një garanci kushtetuese, megjithatë kjo pavarësi nuk do të jetë asnjëherë mburojë për arbitraritet, papërgjegjësi apo mosllogaridhënie. Llogaridhënia nuk duhet të perceptohet si kërcënim ndaj pavarësisë, por mekanizëm që garanton standarde të larta të përgjegjësisë. Lufta ndaj çdo forme të abuzimit me detyrë do të jetë e pakompromis. Askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe nuk do të ketë imunitet”, përfundoi Gashi. /KP/

