Tenderi 16 milionë euro për ndërtimin e 4 kilometrave linjë të re hekurudhore që do të lidhë Terminalin e Transportit Publik me Stacionin e Trenit Tiranë ka dështuar. Hekurudha shqiptare njoftoi se në garën e shpallur nuk u paraqit asnjë ofertë e përshtatshme dhe për këtë arsye tenderi është anulluar.
Sipas njoftimit të publikuar në Buletinin e Prokurimeve Publike, një ofertë e paraqitur, ajo e bashkimit të kompanive BE-IS dhe 2T nuk plotësonte kriteret për kualifikim pasi nuk kishte përfojë në realizimin e sistemeve hekurudhore dhe ndërtimin e linjave elektrike.
“Dokumentacioni i paraqitur nga operatori ekonomik nuk demonstron se ai ka realizuar më parë punime që përfshijnë ndërtimin e sistemeve të sinjalizimit hekurudhor dhe elektrifikimit të linjave hekurudhore. Për pasojë nuk provohet përvoja e nevojshme në raport me komponentët teknikë më kritikë të kontratës objekt prokurimi,” thuhet në arsyetimin e refuzimit të ofertës.
Tenderi me fond limit 1.5 miliardë lekë, ose 16 milionë euro me kursin aktual, u shpall në muajin maj si një shtesë objekti për hekurudhën Tiranë-Durrës. Ai parashikonte ndërtimin e një linje me gjatësi 4 kilometra për të lidhur Terminalin e Transportit Publik me Stacionin e Trenit në fund të bulevardit të ri të Tiranës.
Hekurudha Tiranë-Durrës-Rinas nisi të ndërtohet në 2021-shin. Kjo linjë parashikon ndërtimin e një sistemi udhëtimi me shpejtësi 70-100 km/orë përmes trenave elektrikë. Kostot e projektit janë rritur disa herë, ndërsa afatet e tij janë shtyrë po ashtu në më shumë se një rast.

