Shkup, 27 korrik, Zhurnal.mk – SDSM, përmes një kumtese, ka reaguar ndaj vendimit për rritjen e çmimit të energjisë termike, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një goditje të re ndaj standardit jetësor të qytetarëve.
Nga partia thonë se, pavarësisht premtimeve të kryeministrit Hristijan Mickoski për ulje të çmimeve, periudha e fundit ka sjellë vetëm shtrenjtim të ri.
“Pas derivateve të naftës, tani shtrenjohet edhe ngrohja qendrore. Në vend të shpenzimeve më të ulëta, qytetarët marrin barrë të re financiare,” theksojnë nga SDSM.
Sipas partisë, javët e fundit janë rritur dukshëm çmimet e derivateve, ushqimit, produkteve në markete dhe transportit, gjë që e vështirëson edhe më shumë jetën e përditshme të qytetarëve.
SDSM vlerëson se gjendja ekonomike është serioze dhe se buxhetet familjare janë nën presion të madh, duke rikujtuar se shporta minimale e konsumit ka arritur pothuajse 70.000 denarë për mbulimin e nevojave bazë të jetesës.
Në kumtesë thuhet se, përveç çmimeve të larta dhe shpenzimeve të rritura të jetesës, qytetarët tani do të përballen edhe me fatura më të larta për ngrohje, në prag të sezonit të dimrit.
Nga SDSM akuzojnë Qeverinë se me politikat e saj po e përkeqëson gjendjen ekonomike dhe sociale në vend, duke i shtyrë qytetarët drejt një varfërie gjithnjë e më të thellë.

